Ferizajasit protestojnë kundër projektit të Komunës 'Bashkimi i qytetit' - FOTO

Qytetarët e lagjes “Madeleine Albright” në Ferizaj po protestojnë për herën e katërt duke kundërshtuar projektin e Komunës për ndërtimin e një tuneli të hapur në rrugën ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Sipas tyre projekti i quajtur “Bashkimi i qytetit” bllokon punën e tyre pasi që në vendet ku ata kanë dyqanet mbetet vetëm një gropë e madhe.

Sipas Arsim Ejupit, njërit nga banorët, ata do ta kundërshtojnë këtë projekt edhe më tutje.

“Dje jemi shty fizikisht me gjeodetët komunalë që erdhën me i vendos pikat për fillimin e punëve, prezent ishin edhe Policia, por ata nuk kanë kundërshtuar. Kjo rrugë bllokohet dhe qasje nuk munden me pas as Policia as Emergjenca e as Zjarrfikësit në rast emergjence”, tha ai.

Sot ata prapë po protestojnë duke vendosur parulla nëpër dyqanet e tyre.

Ata janë të pajtimit që projekti të realizohet me planin e vjetër dhe rruga nëntokë të nisë atje ku nuk e pengon asnjë qytetar.

Ata thonë se Komuna nuk i ka kontaktuar asnjëherë për të bërë diskutim publik në lidhje me projektin.

Edhe Edison Bytyqi thotë se po i vështirësohet jeta, sipas tij ai nuk do të ketë qasje të hyjë me veturë afër vendit ku jeton dhe biznesi i tij do të shkatërrohet.

“E kam një lutje, mos na e ndalni bukën, mos na e mshelni rrugën, mos na mbështetni për muri!” tha ai.