Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AP

Erdogan Deklarohet për Deportimin e Shtetasve Turq

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka riafirmuar zotimin për të vazhduar sipas tij sjelljen para drejtësisë të pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO pas ekstradimit nga Kosova në Turqi të gjashtë pjesëtarëve të lartë të kësaj organizate, raporton Anadolu Agency (AA)

“Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës kapën gjashtë përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu me lejen e Zotit kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, tha presidenti Erdogan.

Gjatë mëngjesit të ditës së djeshme janë arrestuar gjashtë shtetas turq, pesë prej të cilëve ishin punëtorë në kolegjin “Mehmet Akif” dhe një tjetër ishte mjek.

Kolegji “Mehmet Akif” konfirmoi se të arrestuar janë: drejtori i përgjithshëm i Kolegjit “Mehmet Akif”, Mustafa Erden, zëvendës drejtori i përgjithshëm, Yusuf Karabina; drejtori i shkollës në Gjakovë, Karaman Demirez; Cihan Oskan dhe Hasan H. Gunakan. Personi i gjashtë ishte mjeku, Osman Karakaya.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të profilit të tij zyrtar në ‘Facebook’, ka thënë se nuk ka qenë i informuar në lidhje me arrestimin e gjashtë punëtorëve të kolegjit “Mehmet Akif”.

Shefi i diplomacisë në Kosovë, Behgjet Pacolli gjatë ditës së djeshme në emisionin “Jeta në Kosovë” nuk ka komentuar arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

“Po të kishte pasë ndonjë ndërhyrje prej Ministrisë së Punëve të Jashtme diku në punët e prokurorisë dhe gjyqësisë ju sot do të thoshit se ne kemi bërë ndërhyrje. Unë për këto arrestime kam dëgjuar sikurse edhe ju sepse nuk është domen i Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha Pacolli.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ka thënë se e konsideron këtë veprim “të papranueshëm”.

“Veprimi që ka ndodhur institucionalisht me përgjegjësinë më të lartë shtetërore e theksoj është i papranueshëm. Veprimi që është ndërmarrë ka mbetur që të ndodhë një vlerësim dhe një raport. Prandaj kam pasur sot takim me të gjitha autoritetet përkatëse që të kemi një sqarim të qartë se pse ka ndodhur”, theksoi presidenti Thaçi në emisionin “Jeta në Kosovë“.

Për shkak të këtyre veprimeve kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkarkuar nga detyra drejtorin e AKI-së Driton Gashi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, si Kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Driton Gashi dhe Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj”, thuhej në njoftimin e qeverisë.