Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan
Erdogan në 16-vjetorin e Pavarësisë: Kam besim se marrëdhëniet e shumanshme miqësore do të vazhdojnë të zhvillohen
Në përvjetorin e 16-të të Pavarësisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar telegram urimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në urimin e tij, Erdogan ka përmendur edhe marrjen e komandës së misionit të KFOR-it në Kosovë nga komandanti turk.
“Kam besim të plotë se marrëdhëniet e shumëanshme miqësore mes Turqisë dhe Kosovës, të cilat e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet historike, ekonomike, humanitare dhe kulturore, do të vazhdojnë të zhvillohen. Marrja e komandës së KFOR-it vitin e kaluar është tregues konkret i rëndësisë që i kushtojmë paqes dhe stabilitetit si në Kosovë ashtu edhe në rajon dhe përpjekjeve tona në këtë kontekst”- thuhet ndër të tjerash në urimin e presidentit turk, të cilin Presidenca e Kosovës e ka publikuar më 16.02.2024.
Gjithashtu, presidenti Erdogan e ka ftuar presidenten Osmani për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë që mbahet nga 01.03.2024 deri më 03.03.2024.
Presidentja Osmani ka pranuar urim edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti i Francës, Emmanuel Macron , presidenti italian Sergio Mattarella, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj si dhe liderë të tjerë.
Kosova është shpallur e pavarur më 17.02.2008, në 15:39h në Kuvendin e Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi lexoi deklaratën e shpalljes së pavarësisë.