Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Stamboll, Foto: Volodymyr Zelensky/X

Erdogan: Turqia e gatshme të jetë nikoqire e samitit për paqe mes Moskës dhe Kievit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se vendi i tij është i gatshëm të jetë nikoqir i bisedimeve për paqe mes Moskës dhe Kievit, dhe se do të “kontribuojë fuqishëm” për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Stamboll.

“Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë duhet të përfundojë patjetër përmes bisedimeve. Ne jemi të gatshëm ta organizojmë një samit të paqes, ku edhe Rusia është e pranishme”, tha Erdogan.

“Derisa ne e vazhdojmë solidaritetin me Ukrainën, ne do ta vazhdojmë punën tonë për t’i dhënë fund luftës një paqe të drejtë përmes bisedimeve”, shtoi ai.

Zelensky, megjithatë, tha se Moska nuk do të ftohet në një samit të rëndësishëm të paqes, të cilin Zvicra ka shprehur gatishmëri ta organizojë këtë pranverë.

Por, ai shtoi se një përfaqësues rus mund të ftohet në një takim pasues, pasi të jetë arritur një marrëveshje për udhëzuesin për paqen me aleatët e Kievit.

Me gjithë vdekjet dhe dëmet e pësuara gjatë luftës, mbajtja e një konference për paqe së shpejti – ku të dyja palët do të merrnin pjesë – duket e pamundur.

Kërkesat e Ukrainës për paqe janë që Rusia t’i tërheqë të gjitha trupat e veta nga Ukraina, t’i kthejë kufijtë e vet nga epoka pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe Rusia të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.

Kremlini s’i ka pranuar këto kushte.

Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka mbajtur raporte të mira me Moskën dhe Kievin dhe së bashku me Kombet e Bashkuara ka ndërmjetësuar një marrëveshje që i ka lejuar Kievit eksportimin e sigurt të drithërave nga portet e tij. Por, korrikun e kaluar Rusia u largua nga marrëveshja, e njohur si Nisma e Detit të Zi, pasi argumentoi se eksportet e saj ushqimore dhe të plehrave artificiale nuk gëzonin të njëjtat kushte.

Turqia ka synuar që të bindë Moskën që të kthehet në marrëveshje, por deri më tani Rusia ka refuzuar.

Zelensky për herë të fundit kishte vizituar Turqinë në korrikun e viti të kaluar./REL