Takimi në mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan, Foto: Vjosa Osmani/X

Osmani takoi presidentin Erdogan, rikonfirmuan bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Turqisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Turqi është takuar me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, më 02.03.2024.

Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin turk për miqësinë dhe mbështetjen e tij ndaj Kosovës.

Sipas Osmanit, përmes këtij takimi ata kanë rikonfirmuar përpjekjet e përbashkëta për të thelluar bashkëpunimin në mes Kosovës e Turqisë.

“Faleminderit President Erdogan! Për miqësinë, angazhimin dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës. Kënaqësi të rikonfirmojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të thelluar bashkëpunimin tonë bilateral dhe për të fuqizuar lidhjet në mes shteteve dhe popujve tanë!” – ka shkruar presidentja Osmani, në platformën X.

Në bazë të disa fotografive që Osmani ka publikuar, shihet se në takim e ka shoqëruar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Enis Kervan.

Presidentja Osmani ka shkuar në Turqi më 01.03.2024, për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë, me ftesë të presidentit Erdogan.

Në kuadër të këtij Forumi, më 01.03.2024 Osmani është takuar edhe me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Emisari i BE-së për dialogu, Lajçak ka bërë të ditur përmes një postimin në “X” se gjatë takimit me presidenten Osmani ka biseduar edhe për zgjedhjet në veri, por edhe takimin e fundit në Bruksel që Lajçak pati me përfaqësues të Kosovës e Serbisë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se valuta e vetme për pagesa në Kosovë është Euro-ja, duke prekur kështu dinarin serb, me të cilën valutë kanë kryer pagesa serbët lokalë në vend.

Forumi Diplomatik i Antalisë i ka zhvilluar punimet nga data 1 deri më 3 mars 2024.