Enver Hoxhaj Flet për Selinë e PDK-së

Pasi shpjegoi se si do të shkojë konventa, Hoxhaj u pyet për statusin e selisë së PDK-së në Prishtinë.

“Dua t’ju them shumë miqësisht se s’kam pa një lajm të tillë, s’kam mund t’i lexoj mediat e titujt se kam pasë ditë të ngarkuar. Por, dua të ju them se ne respektojmë çdo vendim që merr gjyqësia në Kosovë. Informatë të plotë mund të japim në atë moment kur kem qartësi të plotë,”.

Sot Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit zhvilluan një aksion për lirimin e ish-pronave shoqërore të privatizuara që mbaheshin të uzurpuara.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi në një konferencë për gazetarë, nuk e përjashtoi mundësinë që nëse me vendim gjykate vërtetohej që PDK-ja është e vendosur jashtëligjshëm në ndërtesën në qendër të Prishtinës, të largohej nga aty.

“Procedurën penale e fillojmë në bazë të kallëzimeve penale që na vijnë nga Policia e Kosovës. Nëse sigurojmë informacione se PDK është në pronë të uzurpuar ne do të fillojmë dhe do t’i largojmë, por aty ka një procedurë civile gjyqësore dhe po presim përfundimin e procesit,” tha Lumezi.

http://kallxo.com/lumezi-flet-per-uzurpatoret-ne-veri-dhe-seline-e-pdk-se/

Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj pas insistimit të gazetarëve për një sqarim më të detajuar rreth çështjes së selisë, tha se kjo temë nuk duhet t’i paraprijë asaj për konventën.

“Nëse ju bëni përpjekje me nxjerr lajm prej meje, unë që kaherë kom fol në Këshill të Sigurimit para mediave ndërkombëtare, unë mund t’u ofrojë mundësinë edhe me nxjerr lajm. Por, unë kesh shumë jopolitik dhe njerëzor, në momentin që e shohim çfarë ka deklaruar prokurori i shtetit dhe cilat janë shqetësimet e tij në raport me ndërtesën ku jemi ne, ne do ta japim një përgjigje të plotë në raport me juve,” tha Hoxhaj.

Ai tha se ka njerëz të tjerë që merren me detajet e pronësisë së partisë, duke shtuar se “unë nuk merrem shumë me pjesën logjistike”.

Pas konferencës Basri Masmurati i tha shkurt BIRN-it: “Kjo është pronë private, që ne i paguajmë qira.”

PDK-ja me vetëm një kandidat

Në prag të mbajtjes së konventës së 7-të dyditore të PDK-së, Enver Hoxhaj tha se me gjasë gara për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie do të ketë vetëm një kandidat.

“Çdo anëtar ka mundur të kandidojë, të ofrojë platformën e tij, por deri sot kemi vetëm kandidaturën e z. Veseli. Ai këto dy javë ka qenë i pranishëm në të gjitha qytetet duke u takuar me strukturat e partisë. Dhe siç duket, ditën e nesërme do të shkojmë me një kandidat të vetëm,” tha Hoxhaj.

Por ai la të hapur edhe ditën e nesërme për kandidatura.

“Ditën e parë do të kemi zgjedhjen e kryetarit të partisë, plotësime dhe ndryshime të statutit të partisë dhe miratimin e një deklarate politike, ku ne e përmbyllim pjesën zgjedhore të konventës. Ndërsa ditën e dytë, i zgjedhuri mban fjalim për platformën e tij,” shpjegoi Hoxha.

Ai tha se të shtunën janë të ftuar edhe organizata joqeveritare e mekanizma ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjes së kryetarit të PDK-së.

Hoxhaj u pyet edhe për mënyrën e votimit.

“E kemi diskutuar. Ka mendime që votimi do të jetë i fshehtë, ka mendime që të shkojmë me aklamacion. Por, i takon konventës të vendosë,” shpjegoi Hoxhaj.

Hoxhaj foli edhe për aderimet e reja në PDK.

“Do të ketë aderime, ka interes të madh. Ka interes të madh për aderime të shoqërisë civile dhe të tjerëve, madje ka interesim të madh edhe prej mediave për aderim” tha Hoxhaj.