Rruga e bllokuar për fshatin Semajë e Epërme. Foto e dërguar në KALLXO.com nganjë banor i fshatit.

Dy Fshatra të Kaçanikut të Bllokuar, në Hall me të Sëmurët

Banorët e fshatrave Semajë e Epërme dhe Dërnogllavë, që shtrihen në pjesët malore të komunës së Kaçanikut, kanë mbetur të izoluara tash e disa ditë.

Situata më e rëndë paraqitet në Semajë të Epërme. Kryetari i fshatit Fatmir Hasani, thotë për KALLXO.com se janë paraqitur dy raste të personave të sëmurë të cilëve është bërë e pamundur t’u ofrohet ndihma mjekësore.

“Komuna nuk ka tentuar për ta hapur rrugën dhe gjendja është emergjente në fshat. Kemi dy persona të sëmurë, një të moshuar dhe një fëmijë të cilëve u duhet ndihma mjekësore”, tha Hasani për KALXO.com.

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, konfirmoi për KALLXO.com se rrugët në këto dy fshatra nuk janë zhbllokuar ende.

Por ai nuk u dha shpresë banorëve se mund të intervenohet shpejt në ato fshatra.

“Janë dy tri familje që janë të bllokuara dhe prej Kaçanikut duhet me shku nga ana e Vitisë e që i bie se janë mbi 30 km rrugë dhe lartësia e borës është diku gati 2 metra dhe jo për sot po nuk besoj që edhe tri katër ditë mund të zhbllokohet për shkak të mekanizmit sepse të gjitha fshatrat i kemi në zonë malore dhe sot jemi duke i zhbllokuar fshatin Llanishtë dhe Gjurgjedell ndërsa i kemi zhbllokuar këto fshatrat prej anës së Glloboqicës, Shrtrazë, Ivajë, Gajre”, tha ai.

Ilazi tha se deri tani është larguar bora nga rruga në Semajë të Poshtme, por ka mbetur edhe rreth 1 kilometër e papastruar deri në Semajë të Epërme.

“Kemi tentuar me anë të vullnetarëve që jemi duke u kompensuar naftën por deri më tani vetëm një ‘skip’ (ekskavator) ka kryer punë dhe vetëm një të tillë e kemi në dispozicion për fshatrat në periferi”, tha ai.

Sipas Ilazit, situata më e rëndë paraqitet në fshatin Dernogllavë.

“Kemi kërkuar edhe ndihmën e policisë me anë të disa motorëve që mund te depërtojnë në thellësi, sepse ata po thonë se i kanë tre fëmijë të sëmurë por as me ndihmën e tyre nuk kemi arritur të depërtojmë atje”, tha kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.

Kjani Sallahu, anëtar i Këshillit Komunal ëpr Siguri në Bashkësi, kërkoi nga autoritetet komunale që të intervenojnë në fshatrat e largëta malore të Kaçanikut për t’i zhbllokuar nga bora.

“Tashmë pasi janë zhbllokuar rrugët kryesore të lagjeve të qytetit dhe ato të fshatrave, i bëj thirrje Komunës që patjetër të intervenojë edhe në fshatrat dhe lagjet e thella malore për t’i zhbllokuar nga bora. Për shkak se janë paraqitur edhe raste me sëmundje të rënda të banorëve të fshatrave Semajë e Epërme dhe Dernogllavë, komuna duhet të gjejë mekanizma adekuate dhe të reagojë menjëherë në këto zona”, tha Sallahu për KALLXO.com.