(DOKUMENT) Sa paguhet ministri që e refuzoi pagën me rritje?

Ministri i Qeverisë së Kosovës që menaxhon paratë e shtetit doli kundër vendimit të po kësaj qeverie që vetvetes t’ia rriste pagën për rreth 100 për qind.

Bedri Hamza, Ministër i Financave në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, tha se ka mundësi që edhe dy ministra të tjerë të kenë përcjellur shembullin e tij.

“Unë mendoj që munden me qenë 1 ose dy prej kolegëve të mij që nuk e kanë marrë pagën me rritje”, tha Hamza.

Hamza përballë Jeta Xharrës ripërsëriti qëndrimin e tij ndaj vendimit të vitit 2017 që rriti pagat për ekzekutivin dhe rrjedhimisht edhe gjyqësorin.

“Unë edhe sot mendoj që kam bërë mirë me qëndrimin tim dhe qëndrimi im ka qenë që të mos nxitohemi me këtë punë, të rregullohet me ligj. Nuk kam pranuar ta marr rrogën me rritje për shkak se kam konsideruar që mund të prodhojmë probleme në sistem. Nuk mundesh një kategori me trajtu dhe tjerat mos me i trajtu”, tha ai.

Përveq kësaj emisioni ‘Jeta në Kosovë’ ka siguruar dokumentin që tregon pagat që i ka marrë ministri Hamza.

Qeveria kishte marrë vendim për rritjen e pagave në dhjetor të vitit 2017.

Ky vendim ishte pezulluar pas vendimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit që kishte konstatuar se kjo rritje është konflikt interesi.

E pasi Gjykata Kushtetuese vlerësoi që vendimi për rritjen e pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ai u rikthye në fuqi.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

https://kallxo.com/kjo-eshte-rroga-e-re-e-kryeministrit-dhe-vartesve-te-tij/

https://kallxo.com/bedri-hamza-dhe-7-keshilltaret-e-tij-nuk-e-pranojne-pagen-me-rritje/