Komuna e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Kuvendi Komunal i Mitrovicës miratoi ndarjen e 30 mijë eurove për të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut të mërkurën ka miratuar propozimin për përkrahje financiare në vlerë prej 30 mijë euro për familjen ku mbetën të lënduar 15 persona nga shpërthimi i një bombole të gazit para në Kçiq të Mitrovicës pata disa javësh.

Gjatë mbledhjes, fillimisht asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Hysen Muzliukaj ka propozuar që të ndahen 40 mijë euro për këtë familje.

“E përgëzoj kryetarin për ndarjen e shumës për familjen Brahimi, një rast tepër i rëndë që na ka trondit të gjithëve. Mirëpo shumës 20 mijë euro kërkoj nga komuna dhe kolegëve të mi asamblesitë ta marrë një vendim që të rritet edhe për 20 mijë të tjera duke e ditur që janë përafësisht 15 anëtarë të lëndum edhe disa prej tyre jashtë vendit”- ka thënë Muzliukaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza ka thënë se duke u bazuar në buxhetin që ka komuna, për këtë rast mund të ofrohen 30 mijë euro.

“Unë uroj që mos të na paraqiten rastet të ngjajsshme apo të njejta por mos të kemi fare. Mirëpo kjo mund të ndodhë. Prandaj ne duhet t’i trajtojmë të gjithë të barabartë. Ne e dijmë që financat e buxhetit janë të kufizuara. Prandaj mendoj si shumë për mos e lënë atë që e kemi propozu por ndoshta mund të ngritet deri në 30 mijë euro. Ne kena mu përball gjatë gjithë vitit nuk e di edhe me çka. Por brenda  planifikimeve tash kjo del që është prioritet i prioriteteve, prandaj në shenjë të respektit dhe përkrahjes mund të ofrojmë këtë shumë” – ka thënë Hamza.

Këtë e kundërshtoi asamblistja e LVV-së, Xhevahire Bahtiri e cila potencon se sipas saj në mandatin e kaluar shumë e njëjtë është ndarë për klube sportive.

“Mandatin e kalum janë bërë propozime për klube sportive deri në 30 mijë euro. Secili e çojke dorën 10 mijë, 15 mijë, 20 mijë. Rasti i kësaj familjeje është rast pak ma specifik”- ka thënë Bahtiri.

“I dijmë limitet buxhetore kështu që propozimi vazhdon me 30 mijë”- përfundoi Kryesuesja e Kuvendit, Vesa Broja.

Nga rasti tragjik me bombolën, personat kishin pësuar djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshëm të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Ndërsa një ditë pas, Komuna e Mitrovicës pati ndarë 20 mijë euro për të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq.