Ilustrim

Çmimet njësoj si para një muaji, por jo si para një viti

Çmimet në muajin prill nuk pësuan ndryshime në raport me një muaj më parë, përderisa në krahasim muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ato u rritën për 0.4 për qind.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) tregon se çmimet në prillin e sivjetmë nuk ndryshuan në krahasim me muajin mars, sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është i pandryshuar 0.0% në muajin prill 2018, krahasuar me muajin mars 2018”, tregon ASK-ja.

Megjithatë në prill pak më i shtrenjtë ishte çmimi i rrymës dhe i pemëve.

“Ngritje e lehtë e çmimeve vërehet te nëngrupet: pemë (1.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.4%); energji elektrike (2.5%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (0.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1%”, thuhet në indeksin e ASK-së

Sipas Agjencisë së Statistikave ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e lehtë e çmimeve te nëngrupet: perime -1.7 për qind; dru zjarri për ngrohje -5.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1 për qind në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin prill 2018 në raport me muajin prill 2017 ishte 0.4 për qind.

Të dhënat e ASK-së tutje thonë se Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.4 për qind në muajin prill 2018, krahasuar me muajin prill 2017.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet: bukë dhe drithëra 1.9 për qind; mish 0.5 për qind; qumësht, djathë dhe vezë 1.5 për qind; kafe dhe çaj 3.4 për qind; duhan 3.1 për qind; përdorim i pajisjeve për transportin personal 2.0 për qind; shërbimet për transport 6.5 për qind-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind.

Ngritja e çmimeve u neutralizua me rënien e çmimeve të sheqerit dhe  ëmbëlsirave.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: perime (-3.2%); sheqer dhe ëmbëlsira (-9.0%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.5%)-(rënie e çmimit të drunjve për ngrohje); pajisje shtëpiake (-3.5%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-5.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5%)”, shpjegon Agjencia e Statistikave.

KALLXO.com shkroi për çmime të konsumit edhe në muajt tjerë.

http://kallxo.com/cmimet-vazhdojne-ti-kercenojne-shportat-e-konsumatorit/

http://kallxo.com/1-7-per-qind-inflacioni-ne-shtator/