Regjistrimi i popullsisë: ASK: Serbët po regjistrohen vullnetarisht

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka bërë të ditur se deri më tani mbi 200 mijë banorë rezidentë janë regjistruar në Kosovë që nga fillimi i regjistrimit të popullsisë më 05.04.2024.

Sipas të dhënave të ASK-së, deri më tani janë  realizuar mbi 110 mijë intervista nga regjistruesit në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe terrenet e thella.

Ndërkaq vetëm në Prishtinë sipas ASK-së, deri më tani janë realizuar mbi 10 mijë intervista dhe janë intervistuar rreth 47 mijë e 122 ekonomi familjare.

Edhe pjesëmarrja e grupeve etnike në regjistrim, sipas tyre ka qenë e lartë.

Ndërsa pjesëmarrja e banorëve jorezidentë, që jetojnë jashtë shtetit, sipas tyre është mbi 50 mijë.

Tutje sipas drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, në regjistrimin e popullsisë ka edhe pjesëmarrje të komunitetit serb dhe të të gjitha komunave veriore.

Sipas tij, persona nga komuniteti serb janë regjistruar edhe vullnetarisht gjatë këtyre ditëve, përkundër thirrjeve publike të Listës Serbe se nuk do të marrin pjesë në regjistrim.

“Ne mendojmë që ditëve ne vijim, një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit, sepse jemi duke u koordinuar edhe me komunitete edhe me institucione të tjera, presim… Ka pjesëmarrës nga komuniteti serb nga të gjitha komunat e veriut”- ka deklaruar Kastrati.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i dyti që nga paslufta, ka filluar nga data 05.04.2024 dhe të zgjasë deri më 17.05.2024.