Caktohet Dita e Takimit Mustafa- Vuçiq

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, konfirmoi të shtunën se i ka dërguar ftesat te kryeministrat e Kosovës e Serbisë për një raund ë ri dialogu në kuadër të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Takimi do të vijë një javë pasi Mustafa e Vuçiq u takuan në Bruksel nën shoqërimin edhe të presidentëve të të dy vendeve, Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliq në të cilin bashkëbiseduesit thanë se u pajtuan që t’i lënë anash tensionet e ngritura javëve të fundit, sidomos pas aferës së trenit serb me simbole nacionaliste i cili nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës.

“Përfaqësuesja e Lartë mezi po pret vazhdimin e diskutimeve në çështje të rëndësishme rreth gjendjes së implementimit të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara si dhe për rrugën përpara në dialog. Progresi në rrugën drejt BE-së është i lidhur, si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, me progresin në dialog”, thuhet në komunikatën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së.