Fituesit e çmimit "Ekonomisti i Ri" 2017, Foto: BQK

BQK ndau çmimin e dytë dhe të tretë "Ekonomisti i Ri" 2017, vendi i parë mungon

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka ndarë çmimin për hulumtuesit më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj, në fushën e sistemit financiar dhe zhvillimit ekonomik në vend për vitin 2017.  

Fituesit e çmimit “Ekonomist i Ri” për vitin 2017 sipas komisionit profesional ishin Florin Aliu, në vendin e dytë me hulumtimin me titull “Portfolio risk of international diversification of Kosovo Pension Fund: a historical perspective” dhe Arian Krasniqi, në vendin e tretë me hulumtimin me titull “Plasimi i produkteve të Kosovës në tregun e Bashkimit Evropian: Aplikimi i strategjive diferencuese si faktor signifikant”.

Guvernatori Fehmi Mehmeti tha se punimet që janë përzgjedhur të jenë shtytëse për zhvillimit ekonomik të vendit. 

“Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa pasur zhvillim të stabilitetit financiar dhe ky është një nga qëllimet e mia kryesore prej se jam emëruar në pozitën e Guvernatorit.  Andaj qëllimi ynë kryesor është që fillimisht të kemi stabilitetin financiar ku aktualisht jemi më së miri në rajon. Ne planifikojmë t’i zgjerojmë funksionet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në funksion të përkrahjes së ekonomisë dhe një nga hapat do të jetë edhe aprovimi i rregullores për licencimin e fondeve investive në Kosovë, që është një plotësues për ekonominë dhe besoj që me këtë hap do të kemi dy ose tri fonde investive”, theksoi Mehmeti.

Gjithashtu Mehmeti ka shtuar se janë duke krijuar edhe një qendër të përditësimit të transaksioneve të kartelave në Kosovë si një projekt shumë të madh dhe të rëndësishëm.

“Krejt këto po bëhen me qëllim të rritjes së funksioneve të Bankës Qendrore të Kosovës. Ajo që kërkoj nga ju është që përvojën dhe shkollimin që e fitoni jashtë vendit ta bartni në Kosovë me qëllim që ekonomia të ecë përpara”, ka thënë Mehmeti.

Fituesit e çmimeve po ashtu falënderuan Guvernatorin për përkrahjen e nismave të tilla nga BQK-ja e  që janë në dobi të hulumtuesve të rinj.