Guvernatori i BQK-së në takim me përfaqësues të FMN-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Yigit Yaşar, në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 që po mbahen në ëashington DC.

Në këtë takim, thuhet se Ismaili informoi për zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë, duke theksuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe avancimin e infrastrukturës së pagesave. 

Sipas njoftimit, në takim u diskutua gjithashtu për përpjekjet në rritjen e gjithëpërfshirjes financiare dhe forcimin e qeverisjes institucionale. 

“Delegacioni i BQK-së vlerësoi lart bashkëpunimin me FMN-në në të gjitha nivelet dhe diskutoi në detaje projektet dhe asistencat teknike në vazhdim, ecuria e të cilave u konsiderua pozitive edhe nga përfaqësuesit e konstituencave ku bën pjesë Kosova”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 17.04.2026.