Bojkoti si Pengesë për Thaçin President
Pavarësisht marrëveshjes së vitit 2014 mes LDK-së e PDK-së me të cilën Thaçi duhet të bëhet President pas mandatit të Jahjagës, deputetja Vjosa Osmani po mendon se si të pengohet kjo gjë.
“Të gjithë e dinë kush është zoti Thaçi, e dinë që nuk është figurë unifikuese siç kërkohet me Kushtetutë. Mospjesëmarrja në seancë është kundërshtimi i vetëm efektiv dhe kjo është tërësisht në duart e deputetëve të LDK-së,” tha Osmani për KALLXO.com.
Ajo vetë bëri të ditur se do ta bojkotojë seancën ku Thaçi pritet të zgjidhet në pozitën e të parit të shtetit. “Natyrisht që unë nuk do të marr pjesë në atë seancë”.
Megjithatë, ajo mohoi se po lobon për bojkot te deputetët tjerë të LDK-së.
“Sikur unë të provoja të bëja ndonjë presion, do të bëja të njëjtën që po bëjnë të tjerët kur po provojnë t’i bindin të tjerët që të votojnë për zotin Thaçi,” tha Osmani.
Sipas nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës Presidenti zgjidhet nga Kuvendi nëse gjatë votimit të parë fiton dy të tretat e votave të deputetëpve, ose 80 vota.
Nëse kandidati për President nuk ia del të zgjidhet në dy votimet e para, herën e tretë ai mund të zgjidhet me dhumicën e thjeshtë të votave të deputetëve.
Osmani mendon se bojkoti ka rëndësi, pasi kushdo që është në sallë pavarësisht votimit ose jo konsiderohet pjesë e kuorumit.
“Pra kushdo që është në sallë, pa marrë parasysh nëse merr pjesë në votim ose jo, nëse është në sallë dhe e krijon atë kuorum në mënyrë indirekte edhe ndihmohet zgjedhja e z. Thaçi, pavarësisht cila është vota finale e secilit deputet,” tha Osmani.
Ajo tha se deputetët e LDK-së e dinë mendimin e votuesve të kësaj partie për Thaçin, por deklaroi se vetë duhet të vendosin për pjesëmarrjen dhe votimin në këtë mbedhje.