Albin Kurti, Foto: LVV/FB

Opozitarët akuzojnë Kurtin për ndryshim qëndrimesh: Një "super-hero" i ardhur në pushtet me kauza të rrejshme

Një “super-hero” që është ngjitur në pushtet me kauza të rrejshme. Kështu e përshkruajnë deputetët opozitarë kryeministrin Albin Kurti, një ditë pasi ai e urdhëroi Agjencinë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka pranuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestueshme, por e ka akuzuar Kurtin për mënyrën se si ka ardhur në pushtet.

“Fatkeqësisht zoti Kurti ka zgjedh me vetëdije të plotë që mbi kauza të tilla të rrejshme të ndërtoj bazën për ardhje në pushtet. Tani në pushtet e ka kuptuar se kauzat e rrejshme s’qëndrojnë, por gjithsesi ato janë të dëmshme. Ardhja në pushtet me kauza të rrejshme është pasojë e madhe për vendin, për stabilitetin politik e demokratik dhe kohezionin e përgjithshëm shoqëror sepse kemi kaluar nëpër periudha të tensionimit të rend, të përqarjes e kështu me radhë”- ka thënë ai.

E për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj mënyra se si Kurti po i trajton aleatët do t’i kushtoj Kosovës.

Ai ka thënë se pas vendimit për Manstirin e Deçanit, Kurti duhet t’i kthehet Planit franko – gjerman.

“E rrugës do të ishte që pas asaj që ka ndodhur dje (13.03.2024) Kurti të rikthehej me Planin franko – gjerman për shkak se ju e shihni për Këshillin e Europës, anëtarësimin në Këshill të Europës, Kosovës po i kërkohet një paket e masave. Ne për me mujt me ec drejt NATO-s do të na duhet me marrë kandidaturën për BE. Pra çka do të na kërkohet në kandidaturë për BE dhe si do të mund të ecim drejt NATO-s, pa fol këtu për anëtarësimin në OKB”- ka thënë ai.

Se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që nuk mund të kontestohet e ka thënë edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti. Megjithatë ai ka përkujtuar se Kurti në të kaluarën është përpjekur të bind opinionin rrejshëm se nuk do ta miratoj kurrë dhënien e tokave.

Albini është përpjekur ta bind opinionin rrejshëm që nuk do ta miratoj kurrë dhënien e tokave Manastirit të Deçanit. Ka dal në foltoren e parlamentit, duke mos i përmend  ato deklarimet nëpër media, dhe realisht ata që i kanë marrë vendimet i ka konsideruar si tradhtar. Kjo e demanton besimin ose premtimin që ua ka dhanë edhe votuesve të vet edhe qytetarëve të Kosovës që ky është një ‘super hero’, një super politikan”- ka thënë ai.

Duke mos e cilësuar si të gabuar pëlqimin për zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses, as deputeti Behgjet Pacolli nuk e ka kursyer nga kritikat kryeministrin Kurti.

“Premtimet duhet të përmbushen. Mënyra siç e ka trajtu Qeveria këtë problem, gjegjësisht njerëzit e Qeverisë është diçka tjetër … Siç jemi mësuar nuk është hera e parë që zoti Kurti del prej premtimeve të tij. Ai shumëçka ka premtuar por nuk e ka mbajtur fjalën. Sigurisht edhe në të ardhmen ne duhet të mësohemi me ketë dhe do të kemi edhe raste tjera”- ka thënë ai.

Ndryshe nga të tjerët, deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Humolli thotë se vendimi i Qeverisë Kurti është i gabuar për arsye se Gjykata Kushtetuese ka vendosur kundër qytetarëve.

“Është vendim i gabuar për arsye se Gjykata Kushtetuese ka vendos kundër qytetarëve, ka vendos një vendim që ka qenë në favor të politikës shovene serbe. Politika shovene serbe nuk din me u ndal … Ne e kemi pa që praktikisht Serbia prej viteve ’80 kurrë nuk është ngi. Ka bërë krime kundër serbëve për të na lënë neve fajin”- ka thënë ai.

Sipas tij, “Albin Kurti nuk është më Albini që ka qenë para zgjedhjeve, por është i njëjtë si partitë tjera politike, pa dallim”.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi ka thënë se marrë parasysh që është vendim i Gjykatës Kushtetuese ka ardh koha që Qeveria të vendos për një gjë të tillë.

“Mos të harrojmë që në Kosovë mbi 30 mijë hektarë tokë janë privatizuar e çmimi mesatar ka qenë 34 euro për ari. Mos të harrojmë që në Kosovë vazhdimisht ka pas privatizim të pronave. 24 hektarë tokë unë po konsideroj që sigurisht ka qenë që nga viti 1947, apo para 1947-es, pronë e Manastirit të Deçanit. Sigurisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është ardh koha që edhe qeveria të vendos për një gjë të tillë”- tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13.03.2024 se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Çështja e kthimit të 24 hektarëve përreth Manastirit të Deçanit është aktuale tash e disa vjet, duke nxitur herë pas here mosmarrëveshje mes udhëheqësve të shtetit dhe të manastirit, marrë parasysh se autoritetet lokale në Deçan refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht thirrjeve të shumë diplomatëve amerikanë dhe europianë.

Zanafilla e kontestit për 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit