Më 5 mars, Kuvendi organizon seancë solemne për 'Epopenë e UÇK'-së

Kuvend i Kosovës do të mbajë seancë solemne më 5 mars 2024 për të shënuar 26-vjetorin e ‘Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’.

Kështu ka njoftuar kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë.

Më 5 mars në Kosovë fillon Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Sonte në 20:10h në emisionin KallxoPërnime do të transmetohet rrëfimi i plotë i inxhinierit Lahudin Myrtajt për ‘Kullat në Prekaz’, që është një alarm për institucionet.

Rrëfimi i inxhinierit Myrtaj, që në vitin 2000, në temperatura të ulëta udhëhoqi procesin e konservimit të ‘Kullave të Jasharve’ në Prekaz. Projekti ishte paraparë të ekzistonte për 2 ose 3 vjet, por 24 vjet më vonë, skelet mbesin të njëjta, të ndryshkura e me rrezik për t’u rrënuar.

Kusari Lila tutje ka njoftuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës javën tjetër do të mblidhen edhe për një seancë të rregullt më 7 mars 2024.

“Seancë e rregullt do të mbahet me 7 mars. Kuvendi do të ketë edhe një seancë të veçantë që do të mbahet më 5 mars nga ora 10:00 dhe që shënon 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, tha se të etjen në seancë do të jetë në rend dite themelimi e Komisionit Hetimor për rastin Dehari.

Shefi i Deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga partia në pushtet që t’i mbështes dy nisma të tyre.

“Si Aleancë ne do t’i mbështesim marrëveshjet ndërkombëtare, përderisa kemi kërkesë eksplicite që të ketë reflektim në dy kërkesat tona kryesore, e para që lidhet me seancën e djeshme, me debatin e jashtëzakonshme lidhur me sigurimet shëndetësore që të na votohet rezoluta, dhe që Ligji për sigurime shëndetësore të vije në Kuvend në maj në mënyrë që të miratohet para korrikut, dhe po ashtu që të amandamentohet Ligji i pagave”- ka theksuar Tahiri.

Ai ka shtuar se AAK-ja nuk e ndërlidhë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me kërkesat e saj.