Bojiq Tregon si u Vra Oliver Ivanoviqi

Zhelko Bojiq, shefi i operativës së Policisë së Kosovës në stacionin e veriut tregoi sot se si u vra Oliver Ivanoviqi.

Bojiq tha se Ivanoviq u qëllua në orën 8 e 10 minuta të mëngjesit të sotëm.

“Në mëngjes në orën 08 e 10 minuta në rrugën Sutjeska ndodhi një incident në të cilin u përdorën armët e zjarrit. Me këtë rast u plagos Oliver Ivanoviq i cili menjëherë u dërgua në spital”, tha Bojiq.

Ai më tutje tregoi se “mjekët pas një kohe të caktuar konstatuan vdekjen”.

Bojiq deklaroi se janë gjetur gjurmë që do të ndihmojnë hetimin.

“Ekipet hetuese menjëherë dolën në vend të ngjarjes. Aty u gjetën gjurmë të caktuara që do të shërbejnë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes”, tha Bojiq.

Shefi i operativës foli edhe për një makinë të djegur që mund të jetë përdorur gjatë sulmit ndaj Ivanoviqit.

“Gjithashtu në orën 9 e 15 minuta në rrugën “Vojvoda Putnik” u gjet një makinë e djegur e tipit Opel Astra. Edhe atje njësitë hetuese dolën në vend të ngjarjes për ta bërë këqyrjen. Kontaktuan edhe kolegë të njësisë së specializuar K9, të cilët gjithashtu ishin të pranishëm në këqyrje”, tregoi Bojiq.

Informata të ngjashme dha sot më herët edhe policia.