Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Ish-hetuesi i rastit të vrasjes së Ivanoviqit: Kemi mbajtur dy takime me Policinë serbe, por nuk na ndihmoi

Ish-hetuesi i rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Mehdi Kozhani, ka treguar se kanë zhvilluar dy takime zyrtare me Policinë serbe për këtë rast, por që, sipas tij, pala serbe nuk ka ndihmuar.

Edhe pas gjashtë viteve, vrasja e politikanit serb të Kosovës nuk është zbardhur ende.

“Ne i kemi pasur dy takime zyrtare me Policinë serbe në Merdarë, ka qenë ndërmjetësues EULEX-i dhe ata kanë tentuar të bisedojnë me neve dhe ne me ta që të ofrojmë zgjidhje për rastin mirëpo në dy rastet Policia serbe, hetuesit e shtetit serb, nuk na kanë ndihmuar fare në ato takime” – tha Kozhani në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Kozhani shtoi se kanë kërkuar hyrje-daljet telefonike të Ivanoviqit, por se Policia serbe nuk i ka sjellë të gjitha dhe kanë arritur të dëshifrojnë se ata në disa forma kanë fshehur dëshmi.

Ai tregoi edhe se nga kanë ardhur dyshimet se urdhri për vrasjen është dhënë nga Millan Radoiçiq.

“Informacionet e para vijnë nga vendi i ngjarjes, të takosh dëshmitarë dhe provat na kanë çuar në drejtim se Radoiçiqit, është udhëheqës i grupit kriminal dhe e ka porositur vrasjen e Ivanoviqit. Janë dëshmitarët, janë provat që na lidhin me vendin e ngjarjes dhe gjithçka lidhet me vendin e krimit dhe dëshmitë që janë nxjerrë nga vendi i krimit” – deklaroi ish-hetuesi i Policisë së Kosovës.

Kjo vrasje, sipas Kozhanit, fillimisht u hetua nga policët në veri e më pas u transferua në Prishtinë, në Departamentin e krimeve të rënda.

“Gjithçka është koordinuar me prokurorin special, në atë kohë Sylë Hoxha” – tha ai.

Gjashtë vjet më parë, në Mitrovicën e Veriut, pranë zyrave të partisë së tij, Iniciativa qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia (SDP), u vra politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ai u vra në një atentat rreth orës 8:15 mëngjesin e së hënës së 16 janarit të vitit 2018 me gjashtë plumba në shpinë. E pranishme në ato momente ishte edhe gruaja e tij, Marina.

Disa dëshmitarë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për rastin ndërsa disa seanca janë zhvilluar pranë organeve të drejtësisë.

Çka thotë aktakuza?

Deri më tani, për rastin e vrasjes së Ivanoviqit janë të akuzuar gjashtë persona. Rade Basara akuzohet së bashku me Marko Roshiqin, Silvana Arsoviqin, Nedelko Spasojeviqin, Zharko Jovanoviqin dhe Dragisha Markoviqin se kanë ndihmuar në ekzekutimin e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të Policisë, të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit te vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në Oliver Ivanoviqin.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK