Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq, Mitrovicë e Veriut Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com - 16 janar 2024

Çka deklaruan ish-hetuesit policorë që shkuan në vendin ku u vra Oliver Ivanoviqi?

Dy ish-hetues policorë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar sot në gjykimin e të akuzuarve për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, është vrarë 6 vjet më parë para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Në seancën e sotme u dëgjuan rrëfimet e Mirsada Omeragiqit dhe Jugosllav Bugovaqit.

Të dy kishin qenë hetues policorë në kohën e vrasjes dhe kishin shkuar në vendin e ngjarjes pak kohë pasi kishte ndodhur rasti.

Dëshmitarët treguan si e kishin rrethuar vendin me shirita shtesë dhe ishin kujdesuar që asnjë nga provat mos të dëmtoheshin dhe të ruheshin, duke zbatuar “rregullat e Policisë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Punën time e kam kryer ashtu siç duhet, nëse do të kishte ndonjë lëshim do ta kisha lajmëruar” – tha dëshmitarja Omeragiq para Gjykatës.

Kurse, lidhur me prezencën e personave privatë në vendin e ngjarjes ajo u shpreh se gjatë tërë kohës sa ka qenë aty nuk ka parë askënd tjetër përveç policëve.

Tutje, ajo shtoi se nuk ka njohuri për veprimet që ishin ndërmarrë para se ajo të arrinte në vendin e ngjarjes.

Ajo tha se informacionin se Oliverin Ivanoviqin “e kishin gjuajtur” e kishte marrë nga eprori i saj, dhe me kërkesë të tij kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe aty e kishin parë të akuzuarin  Nedelko Spasojeviq.

Një gjë të tillë e tha edhe kolegu i saj, dëshmitari Jugosllav Bugovaq, i cili u shpreh se si e kishin rrethuar vendin e ngjarjes dhe i kishin marrë incizimet e kamerave nga vendi.

Bugovaq rrëfeu edhe për momentin se si e kishte takuar një grua afër vendit të ngjarjes.

“E ka parë të shtrirë (Oliverin) dhe kishte thirrur “Oliver, Oliver!” “ – përshkroi dëshmitari.

Ai tha se deklaratën e gruas e kishte përfshirë në raportin e tij të cilin e kishte formuluar një ditë pas ngjarjes kritike.

Të dy dëshmitarët mohuan të kenë parë diçka të dyshimtë, kurse lidhur me të akuzuarin Rade Basara, dëshmitarja Omeragiq tha se i njëjti kishte qenë në pushim vjetor në ditën kritike.

Asaj nuk iu kujtua koha e saktë kur kishte shkuar në vendin e ngjarjes.

Në seancë u përmend edhe një grup hetimor i cili ishte formuar për të hetuar këtë rast.

Të dy dëshmitarët thanë se nuk kishin qenë pjesë e këtij grupi.

Grupi i të akuzuarve dyshohet se ka qenë i udhëhequr nga Millan Radoiçiqi kurse qëllimi i vrasjes, sipas Prokurorisë, ka qenë shtrirja e kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Dosja e Prokurorisë për të akuzuarit

Prokuroria po akuzon Marko Roshiqin, Silvana Arsoviqin, Nedelko Spasojeviqin, Rade Basaran, se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, secili nga të akuzuarit e lartpërmendur në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen.

Sipas aktakuzës, ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të Policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit te vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të.

Përveç kësaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e Oliver Ivanoviqit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t’i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë, Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.

Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Dy policët, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat në vendin e ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.

Sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi në dhjetor të vitit të kaluar i cili akuzohet se ka ndërhyrë në rastin e kësaj vrasjeje.

Milan Mihajloviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe falsifikim të dokumenteve.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj, Valbonë Selimaj dhe Musa Konxheli.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK .