Foto: Milan Radonjiq, BIRN

Vrasja e Ivanoviqit, gjykimi shtyhet deri në muajin mars

Të akuzuarit në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, u ulën të enjten – 15.02.2024, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Prokuroria Speciale i akuzon të lartpërmendurit se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, ishte vrarë 6 vjet më parë para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Në këtë seancë, të gjithë avokatët mbrojtës kërkuan që klientët e tyre të pajisen me shkresa të lëndës-provave që përfshijnë deklarata të tyre të dhëna në polici dhe prokurori në gjuhën që të akuzuarit e kuptojnë.

“Që 4 vjet non-stop, jemi duke kërkuar përkthimin e deklaratave të të pandehurve të cilët janë neglizhuar në polici edhe te prokurori”- u shpreh avokati Faruk Korenica, i cili mbron të akuzuarin Nedeljko Spasojeviq.

Propozimit të tij për t’u pajisur me këto dokumente iu bashkuan të gjithë avokatët tjerë.

Kjo bëri që gjyqtari Valon Kurtaj t’i japë kohë Prokurorisë Speciale që t’i sigurojë këto dokumente në gjuhën e tyre.

Gjykimi për këtë rast pritet të mbahet në mars, në të këtë seancë të akuzuarit pritet të japin mbrojtjen e tyre.

Dosja e Prokurorisë lidhur me veprimet e të akuzuarve

Prokuroria Speciale pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen.

Sipas aktakuzës, ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të Policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit te vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të.

Përveç kësaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e Oliver Ivanoviqit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t’i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë, Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.

Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Dy policët, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat në vendin e ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.

Sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale së fundmi ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi i cili akuzohet se ka ndërhyrë në rastin e kësaj vrasjeje.

Milan Mihajloviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe falsifikim të dokumenteve.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj, Valbonë Selimaj dhe Musa Konxheli.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK .