Çfarë ndodhi sot në gjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit?

Gjashtë të akuzuarit për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, u paraqitën edhe një herë tjetër në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat.

Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq ishin prezent në gjykatë kur u lëshua video e propozuar nga avokati Mahmut Hailimi, i cili e mbron Roshiqin.

Kjo video ishte një nga tri videot e propozuara nga Halimi. Në të shihej një veturë e tipit “Opel Astra” duke lëvizur, nga një kënd i objektit të “JugoBankës”. Automjeti në fjalë është i njëjti që ishte gjendur i djegur pak kohë pasi kishte ndodhur vrasja e Ivanoviqit.

Ndërsa lidhur me videot e tjera, do të shikohen në seancën e 30-tetorit dhe atë vetëm pjesët që i kanë propozuar palët, duke marrë për bazë që videot që i posedon gjykata si prova kanë madhësinë prej mbi 300 GB përmbajtje.

Gjyqtari njoftoi palët se kishte pranuar përgjigje nga avokatët dhe prokuroria, duke i specifikuar se cilat video janë relevante të shikohen. Disa prej mbrojtësve u deklarua se videot nga selia e SPD-së nuk kanë mundur t’i hapin.

Me të filluar seanca, gjyqtari Valon Kurtaj, njoftoi avokatin Tomë Gashi lidhur me propozimin e tij që të merren të dhënat se në ditën kritike i akuzuari Rade Basare a kishte qenë në Kosovë apo në Kroaci.

Kurtaj tha se kanë siguruar të dhëna nga “ILEKU (bashkëpunim policor në nivel vendi)”, pasi që Ministria e Drejtësisë nuk kishte kthyer përgjigje.

Sipas njoftimit të gjyqtarit, ILEK kishte siguruar të dhëna për hyrje-dalje të të akuzuarit për në shtetin e Kroacisë, për muajin gusht të vitit 2018 e jo për janar të vitit 2018 ashtu siç ishte parashtruar kërkesa nga Gjykata e Prishtinës.

“ILEKU na ka dhanë një përgjigje, vetëm për muajin e 8-të vitit 2018 e lartë,  jo edhe për muajin janar të vitit 2018”- tha Kurtaj

Ndërsa i akuzuari Basare, insistoi që të pritet lidhur me atë dokument pas i njëjti pretendoi se nga data 6 janar e deri me 20 janar të vitit 2018 ka qenë duke qëndruar në Kroaci.

Lidhur me këtë gjyqtari tha se do t’i drejtohet edhe një herë ILEK-ut, që të kërkojë të dhëna për muajin konkret.

“Unë kam kërkuar që më datën 16 janar 2018, qoftë 1 jave apo 2 javë para kësaj date kur ka hyrë i akuzuari dhe kur ka dalë prej Kroacisë, Rade Basara, ata naj kanë pru këto të dhëna që i kemi, por prapë do të kërkojmë përsëri përmes ILEK”- tha Kurtaj.

Në këto rrethana seanca u ndërpre për të vazhduar më 30 tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë theksohet se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, të vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK