Shterimi i Liqenit të Badocit - Foto: KALLXO.com

Bie niveli i ujit në liqenet e Batllavës e Badovcit, Ujësjellësi apelon për kursim të ujit

Niveli i ujit në Liqenin e Badovcit sot është minus 4.75 metra nën nivelin maksimal dhe çdo javë po bie nga 20 centimetra, ndërsa gjendja e njëjtë është edhe në Liqenin e Batllavës.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku.

Ajo ka theksuar se faktor për rënien e nivelit të ujit është mungesa e reshjeve, përderisa ka shtuar se aktualisht ka furnizim të rregullt me ujë për qytetarët.

“Po të mos ishte liqeni i Ujmanit, gjegjësisht fabrika e trajtimit të ujit në Shkabaj, sot niveli i ujit në Badovc e Batllavë do të ishte shumë më ulët. Kemi dhënë shumë herë edhe këshilla se si ta shpenzojmë racionalisht ujin e pijshëm. Sepse toka sot është e thatë, ka reshje të pakta, e vetmja gjë na mbetet është ta kursejmë ujin e pijshëm. Tash për tash furnizimin me ujë e kemi 24 orë pa ndërprerë, e kemi shumë të rregullt”, ka thënë Mjeku.

Ajo ka bërë apel për kursim të ujit të pijshëm.

“Nëse ndër vite kemi thatësira në vend, mund të vijë deri te nivelet minimale te liqeneve. Prandaj ta ruajmë ujin e ta kursejmë në mënyrë që ta kemi edhe në periudhat vijuese”, ka përfunduar zëdhënësja Mjeku.

KALLXO.com ka raportuar sot se në mungesë të reshjeve gjatë dimrit, por edhe këto ditë të pranverës, Liqeni i Badovcit ka filluar të shterohet.

https://kallxo.com/video-fillon-te-shteret-liqeni-i-badovcit/