Çezme - Foto: KALLXO.com

Përmirësohet cilësia e ujit të Liqenit të Badovcit, së shpejti qytetarët mund ta përdorin për pije

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, e ka informuar se është përmirësuar cilësia e ujit të Liqenit të Badovcit.

Sipas njoftimit të kryetarit Rama, qytetarët brenda pak ditësh do të mund të fillojnë ta përdorin për pije dhe për përgatitje të ushqimeve.

“Ju lutem të keni edhe pak durim, ndonëse e kuptoj shqetësimin që ju keni, sepse z.Fetahu më siguroi që shpejt mund ta konsumojmë ujin sepse tashmë nivelet e manganit në të janë ulur dhe vetëm duhet zbatuar disa  procedura të nevojshme që më pas ta përdorim ujin lirshëm për pije” – ka shkruar kryetari i Prishtinës në Facebook.

Me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është ndaluar para disa ditësh përdorimi i ujit të Liqenit të Badovcit për pije për shkak të nivelit mbi normat e lejuara të manganit.