Foto: KALLXO.com

IKShPK: Uji i Badovcit sërish i pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se uji i liqenit të Badovcit mund të përdoret sërish për pije.

Në një njoftim, IKShPK-ja ka theksuar se vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara.

“Bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga Liqeni i Badovcit gjegjësisht – Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L)”- thuhet në njoftim.

Instituti ka shtuar se nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së.

Për disa javë, disa zona në rajonin e Prishtinës dhe po ashtu në kryeqytet që furnizohen nga Liqeni i Badovcit, nuk kanë mundur të përdorin ujin për pije.