Uji nga Liqeni i Badovcit ende nuk lejohet të përdoret për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në një konferencë për media, ka njoftuar se uji nga Liqeni i Badovcit ende nuk mund të përdoret për pije për shkak të nivelit mbi normat e lejuara të manganit.

Burbuqe Nushi- Latifi nga IKSHPK tha se ka rënie të vlerave të manganit në ujë, por ende nuk është arritur vlera e lejuar që uji të përdoret për pije.

“Vlera e manganit është fenomen natyror që ndodhë gjatë ndërrimit të stinëve. Ende nuk është arritur vlera e lejuar. Uji mund të përdoret për çdo veprimtari tjetër, përveç për pije”- tha ajo.

“Njoftojmë popullatën se uji nga Batllava dhe uji nga Shkabaj, i plotëson kriteret për pije dhe këto e tregojnë rezultatet nga laboratori. Në laboratoret tona testohen edhe uji i ambalazhuar”- tha në konferencë ajo.

Nushi – Latifi tha se qytetarët duhet të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Në bazë të trendit të uljes së manganit, besoj që shumë shpejt do të hiqet. Por mbetet të monitorohet”, pohoi ajo.

Ajo tha se mangani është metal i rëndë, dhe vlerat e larta të tij ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e njeriut.