Arkiv - Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Banorët e lagjes ‘Velania’ me kërkesa për Parkun e Përmendores

Banorët e lagjeve përreth parkut të Përmendores te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë kanë dalë me kërkesa rreth mirë organizimit të kësaj pjese të kryeqytetit.

Ata përmes një letre të dërguar institucioneve ata kanë kërkuar që dëshmorët e varrosur aty të largohen dhe të dërgohen në ndonjë vend tjetër dhe ky park të ju kthehet banorëve.

Ata kërkojnë që në këtë park të ndërtohet një memorial inovativ me emrat e dëshmorëve dhe parku të kthehet në një hapësirë rekreative.

Letra e plotë e banorëve:

“Ne banorët e lagjeve për-rreth Parkut te Përmendores u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, që mirëfilli të bashkëpunojnë me ne për një organizim e zgjidhje më të mirë të problemeve rreth çështjes së imponuar për këtë Park.

Zgjidha e këtij problemi, ndihmon shumëfish komunitetin, qytetin e Prishtinës dhe tërë shtetin e Kosovës e më gjerë. Kemi të bëjmë me efekt shoqëror, psikologjik, shëndetësor, kulturor, ekonomik dhe sportiv.

Të gjitha këto fakte dalin të implikuara dhe të dëshmuara edhe nga hulumtimet shkencore të institucioneve me kredibilitet ndërkombëtar, siç është edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por që ka të bëjë edhe me standarde tjera. Prandaj, në mbështetje sa më sipër, ne banorët e lagjeve për-rreth Parkut të Përmendores së Prishtinës kërkojmë:

  1. Që parku të këtë destinacionin e vet, të ju kthehet fëmijëve, popullit, sepse ky është amaneti i dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për liri e drejtësi shoqërore, për të mirën e atdheut dhe të pasardhësve të të gjitha moshave!
  2. Dëshmorëve dhe të gjithë kontribuesve të dalluar për liri e shtetformim t‘ju gjendet një vend gjetiu më i përshtatshëm, ku do të preheshin përjetësisht!

Jemi të vetëdijshëm që dashuria dhe respekti për luftën duhet të zgjasë përjetësisht sepse gjeneratat e ardhshme duhet të mbjellin dashurinë dhe të vazhdojnë respektin ndaj sakrificës për Liri e Pavarësi të vendit tonë, prandaj kërkojmë që edhe nëse zbatohet propozimi nga pika 2. Në vendin aktual, si risim të ngritet një memorial inovativ, ku do të shënoheshin emrat e të gjithë dëshmorëve aktual dhe të gjithë kontribuesve të deritashëm dhe të atyre që vijnë pas. Një veprim i tillë do të mundësonte vazhdimin e traditës normale edukativo-e patriotike të vendit tonë.

  1. Nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe të gjitha institucionet e tjera relevante, kërkojmë të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhjen më të mirë, duke mbrojtur në radhë të parë interesin shoqëror. Pra, Parku i Përmendores duhet të trajtohet me kritere, që sigurojnë të mirën e përgjithshme te qytetit e qytetarëve të Prishtinës, popullatës e shtetit të Republikës së Kosovës, duke mos lënë pasdore faktorin shëndetësor, kulturor, sportiv, integrues e ekonomik.

Jemi të bindur se kërkesa jonë do të miratohet sa ma shpejtë. Si rezultat efektet pozitive do të jenë të shumëfishta. Parku i Përmendores do të jetë një vend i bukur pushimi, shëtitjeje e rekreacioni, besa edhe do të shërbejë më shumë si një magnet për turistët të cilët e pasurojnë qytetin, ku do të përfitonte ekonomia e qytetit, kultura dhe sporti edhe do të ruhej trashëgimia historike e lavdishme e luftës çlirimtare të Kosovës”, shkruan në letrën e banorëve dërguar institucioneve.