Pamje nga kompleksi ‘Adem Jashari’. Foto: KALLXO.com.

Përmendorja e Adem Jasharit pritet të vendoset në Prishtinë vitin e ardhshëm

Përmendorja e heroit kombëtar Adem Jashari pritet të vendoset në Prishtinë gjatë vitit të ardhshëm.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, në Konventën e PDK-së gjatë ditës së sotme.

“Në Prishtinë në buxhetin e vitit 2023 e kemi edhe shtatoren e Adem Jasharit, një memorie kolektive edhe në kryeqytet”- deklaroi Sahatçiu.

Vendosja e një përmendoreje të heroit Adem Jashari në kryeqytet është kërkuar tash e sa vite nga qytetarë të shumtë, derisa Prishtina ka një shesh që mban emrin e heroit në afërsi të objektit të vjetër të komunës.

Komuna e Prishtinës për vitin 2023 pritet të ketë buxhet mbi 105 milionë euro, prej tyre 40 milionë do alokohen për investime kapitale.