Pamje nga konferenca për përgatitjet për Testin e Maturës - Foto: KALLXO.com
Bajrami: Duam Rezultate Reale nga Testi i Maturës
Ministria e Arsimit kërkon rezultate reale dhe përgjegjësi në administrimin dhe monitorimin e Testit shtetëror të Maturës.
Në një takim të përbashkët të zyrtarëve të MASHT-it, Komisionit Shtetëror të Maturës, drejtorëve të drejtorive komunale të Arsimit dhe shkollave të mesme, është bërë thirrje për ndalimin e keqpërdorimeve dhe parregullsive gjatë mbajtjes së Testit.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, theksoi rëndësinë e paraqitjes reale të suksesit të nxënësve pa marrë parasysh nivelin e rezultateve.
“Provimi i maturës nuk është një garë ndërkomunale siç ka qenë ndoshta ndonjëherë në të kaluarën por është një proces i përgjegjshëm i vlerësimit të punës së nxënësve sepse këta nxënës po diplomohen, po piqen dhe po kalojnë në arsimin e lartë”, tha Bajrami.
Në këtë takim të përbashkët u fol për mënyrën e organizimit dhe të mbikëqyrjes së Testit, pas të cilit pritet të pajisen me diploma rreth 30 mijë nxënës të shkollave të mesme të Kosovës.
Azem Guri, kryetar i Komisionit Shtetëror të Maturës, foli për prezencën e Policisë gjatë mbajtjes së Testit dhe monitorimin e shumanshëm, proces në të cilin do të marrin pjesë OJQ, media e deri te këshilli i prindërve.
Për të tretin vit rresh Testi i Maturës do të monitorohet edhe nga KALLXO.com.
“Për sigurimin e një ambienti të sigurt kemi kontaktuar Policinë e Kosovës që do të jenë në ambientet përreth për të pasur një mbarëvajtje më të mirë. Dua të ju njoftoj se edhe këtë vit kemi nënshkruar kontratë me monitoruesit e Komisionit Parlamentar për Arsim, pastaj të BIRN-it, KALLXO.com, OJQ-të, Këshilli Rinor Kosovar, këshilli i nxënësve dhe ai i prindërve”, njoftoi Guri.
Sipas Komisionit Shtetëror të Maturës sivjet Testit do t’i nënshtrohen rreth 30 mijë nxënës në 252 qendra të testimit.
Struktura e administrimit do të jetë e ngjashme me vitin e kaluar me administrues nga MASHT, DKA-të dhe përfaqësues nga shkollat.