Bahtiri njofton ambasadoren e Finlandës me 'ndryshimet' në Mitrovicë pas ardhjes së tij në pushtet

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Prishtinë, Pia Stjernvall, të cilën e ka njoftuar me situatën e përgjithshme në këtë komunë.

Bahtiri ka shprehur falënderim për interesimin për Mitrovicën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda dhe populli i saj i kanë dhënë Kosovës dhe Mitrovicës.

Kurse ambasadorja Stjernvall i tha kryetarit Bahtiri se vazhdimisht ka qenë e interesuar për Mitrovicën, andaj edhe ka ardhur për të parë nga afër se si është gjendja, cilat janë vështirësitë me të cilat ballafaqoheni dhe çfarë është perspektiva për të ardhmen.

Sipas një komunikate të Komunës së Mitrovicës, kryetari Bahtiri e ka njoftuar ambasadoren lidhur me ndryshimin që sipas tij e ka bërë qyteti i Mitrovicës me ardhjen e tij në krye të Komunës.

“Nga një qytet me plot probleme politike, të sigurisë, zhvillimore, ndëretnike etj., Mitrovica sot është një ndër qytetet më të sigurta në Republikën e Kosovës. Këtë e dëshmojnë edhe faktet: nuk ka më tela gjemborë në asnjë cep të komunës, nuk ka tensione deh probleme ndëretnike, kanë rënë në mënyrë drastike të gjitha llojet e krimit. Kjo është arritur vetëm falë para së gjithash bashkëpunimit të mirë e të ngushtë të udhëheqjes komunale me qytetarë”, citohet të ketë thënë Bahtiri.

Po ashtu Bahtiri e ka njoftuar ambasadoren lidhur me rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, duke thënë se kërkon nga BE-ja që të marrë masa për përurimin sa më të shpejtë të projektit, në mënyrë që të mos lejohen ndërhyrjet dhe prolongimet e paarsyeshme nga forca që nuk ia duan të mirën Mitrovicës.

“Në Mitrovicë kemi ndërtuar shumë infrastrukturën, kemi realizuar projekte shumë të rëndësishme dhe të dobishme për qytetarë, siç është liqeni artificial, ndërsa që në realizimi e sipër janë edhe projektet tjera akoma më atraktive për qytetarë, siç janë pishinat olimpike, parku botanik, keji i lumit, hotelet e kategorisë parë, terrenet e ndryshme sportive përskaj Ibrit etj. Ka përmirësime të dukshme në arsim, shëndetësi, kulturë. Mitrovica po bëhet gjithnjë e më e bukur dhe këtë e tregojnë edhe vizitat e shumta të qytetarëve nga tërë vendi dhe jashtë”, tha Bahtiri.

Ambasadorja Stjernvall dhe kryetari Bahtiri, folën edhe për mundësitë e realizimit të projekteve të ndryshme në komunë për të cilat ishte e interesuar ambasadorja.