Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq në gjyqin e Hagës. Foto: BETA

Avokati: Simatoviq Nuk u Dërgoi Armë Serbëve të Kroacisë

Duke marrë në pyetje një dëshmitar të mbrojtur me emër të koduar RFJ-066, avokati mbrojtës i Franko Simatoviq, Mihajlo Bakraç, tha se klienti i tij nuk mund të kishte transportuar rreth 400 armë me dy makina SUV që i përkisnin Ministrisë së Brendshme serbe nga Beogradi drejt Bosnjës dhe Kninit në Kroaci – siç tha dëshmitari i mbrojtur gjatë rrëfimit të tij kryesor në korrik.

RFJ-066, i cili ishte pjesëtar i policisë në rajonin autonom të Serbisë, SAO, të Krajinës në atë kohë dhe bashkëpunëtor i ngushtë me ministrin e brendshëm të Krajinës, Milan Martiq, i qëndroi gjithsesi dëshmisë së tij.

Duke pretenduar se Simatoviq nuk do të mundte të kalonte pikat e shumta të kontrollit mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë me një automjet të policisë të ngarkuar me armë, Bakraç i kërkoi dëshmitarit të specifikonte rrugën që Stanishiq ndoqi për të shkuar në Knin.

“Nuk e di se cilën rrugë morën. Ishin me qindra,” tha RFJ-066 para gjykatës së OKB-së në Hagë të mërkurën, duke dëshmuar nga një vend transoqeanik përmes videos, me fytyrën të mbuluar dhe zë të ndryshuar.

Avokati i Simatoviq u përgjigj se kishte vetëm një rrugë për në Knin, nëpërmjet Bosansko Grahovës dhe Strmicës, por kjo nuk i bëri përshtypje dëshmitarit.

RFJ-066 nguli këmbë se dy foristradave iu vunë targa civile, të cilat Simatoviq i përdori për të transportuar armët në Knin. Ai nuk arriti të kujtojë targat e përdorura gjatë udhëtimit për në Knin.

Pjesa më e madhe e marrjes në pyetje të dëshmitarit u zhvillua me dyer të mbyllura për të mbrojtur identitetin e tij. Avokati i Simatoviq do të vazhdojë ta marrë atë në pyetje RFJ-066.

Gjatë dëshmisë së tij kryesore në mes të korrikut, i njëjti dëshmitar tha se, duke vepruar përmes ndihmësit të tij Simatoviq, shefi i SDB-së serbe, Jovica Stanishiq, armatosi, stërviti dhe kontrolloi njësitë serbe në SAO Krajina, të cilat më vonë dëbuan kroatët vendas dhe kryen krime ndaj tyre nga viti 1990 deri më 1992.

Gjykata e OKB-së i akuzon Simatoviq dhe shefin e tij, Stanishiç për persekutimin, vrasje, dëbim dhe zhvendosjen me dhunë të civilëve kroatë dhe myslimanë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë në vitet 1991-1995.

Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit në katër raste dhe për shkelje të ligjeve të luftës si akuzë të pestë.

Prokurorët pretendojnë se Stanishiq dhe Simatoviq i kryen këto krime ndërsa ekzekutonin një organizatë kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të kroatëve dhe myslimanëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës për të arritur dominimin serb.

Sipas prokurorëve, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, udhëhoqi organizatën kriminale.

Pas një muaji pushim, vetëm Simatoviq po merr pjesë në vazhdimin e gjyqit, pasi trupi gjykues vendosi lirimin e përkohshëm të Stanishiq deri më 27 shtator. Ai hoqi dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjyq duke lënë si përfaqësues avokatët e tij.

Sipas doktorëve në Hagë dhe Beograd, Stanishiq vuan nga një sëmundje kronike intestinale dhe nga depresioni.