Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjykimi historik i udhëheqësve të UÇK-së: Cilat janë akuzat?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ushtarakë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës, të cilët u bënë politikanë të lartë pas luftës, do të dalin në gjyq javën e ardhshme në Hagë, të akuzuar për krime lufte në qendrat e paraburgimit ku kundërshtarët e tyre u keqtrajtuan dhe u vranë.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit më në fund fillon më sot, më 3 prill.

Është rasti i profilit më të lartë që ka të bëjë me luftën e Kosovës që nga koha e gjykimit të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq dhe pritet të zgjasë për disa vite. Zhvillimet po ndiqen nga afër në Kosovë, ku Thaçi ishte udhëheqësi i shtetit derisa dha dorëheqjen pak para arrestimit në nëntor të vitit 2020.

Të katër ishin figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe ishin të përfshirë në udhëheqjen e luftës kundër forcave serbe. Që të katër u bënë politikanë të lartë në periudhën e pasluftës.

Në gjyq përkrah Thaçit do të jenë Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, partia NISMA, dhe Rexhep Selimi, i cili ishte kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjës Vetëvendosje në momentin e arrestimit.

Katër ish-bashkëluftëtarët e shndërruar në politikanë akuzohen për krime kundër njerëzimit përmes persekutimit, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjeve dhe zhdukjeve të detyruara, si dhe krime lufte të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. 

Ata akuzohen se janë përgjegjës për krime individuale si anëtarë të një ‘ndërmarrjeje të përbashkët kriminale’, se kanë përgjegjësi superiore për veprat penale si udhëheqës të UÇK-së dhe se i kanë ndihmuar dhe nxitur krimet.

Qëllimi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale përshkruhet në aktakuzë, janë “krimet e përndjekjes, burgimit, arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm apo arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës, vrasjes dhe zhdukjes me forcë të personave”.

Këto krime, të supozuara dhe të kryera së paku midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, kryesisht kundër të burgosurve të mbajtur në një seri objektesh paraburgimi të ngritura nga UÇK-ja në Kosovë dhe Shqipëri, përfshijnë përgjegjësi penale për afro 100 vrasje.

Versioni i fundit i aktakuzës, i ngritur nga prokuroria në muajin shkurt, zbuloi emrat e disa prej viktimave me etni shqiptare, serbe dhe rome në këtë rast, si dhe detaje të kërcënimeve dhe presioneve të supozuara që të pandehurit ushtronin kundër rivalëve politikë të UÇK-së. Aktakuza gjithashtu zbuloi se trupat e 12 viktimave serbe u gjetën në një varr masiv në vitin 2005.

Aktakuza pretendon se të pandehurit kërkuan ta vulosnin kontrollin e tyre mbi Kosovën “duke përfshirë frikësimin e paligjshëm, keqtrajtimin, kryerjen e dhunës ndaj dhe largimin e atyre që konsideroheshin kundërshtarë”.

Aktakuza po ashtu pretendon se si figura të larta të UÇK-së, të katër burrat kishin “përgjegjësi superiore”, gjë që i bën ata bashkëpunëtorë në krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak të supozimit se ishin në dijeni të shkeljeve dhe mosmarrjes së veprimeve për parandalimin e akteve kriminale, mosdënimit të autorëve të pretenduar, ose duke marrë pjesë drejtpërdrejt ose duke dhëne urdhra vetë.

Që të katër janë deklaruar të pafajshëm.

Kundërshtarë etnikë dhe politikë

Sipas aktakuzës, anëtarët e ndërmarrjes së përbashkët kriminale “kanë kryer një fushatë përndjekjeje kundër kundërshtarëve në shumë komuna në Kosovë dhe në rrethet e Kukësit dhe Hasit në Shqipërinë veriore” së paku mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Krimet u kryen në një gjithsej 39 lokacione, thuhet në aktakuzë.

“Kundërshtarët” përkufizohen nga prokuroria si persona të cilët u perceptuan nga UÇK-ja si “bashkëpunues apo të lidhur” me forcat, zyrtarët apo institucionet shtetërore jugosllave. Këtu përfshihet edhe policia serbe.

Mirëpo, prokuroria thotë se UÇK-ja i konsideronte si kundërshtarë edhe personat që nuk i përkrahnin synimet dhe metodat e luftëtarëve apo Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, e cila udhëhiqej nga Thaçi nga marsi i vitit 1999, në të njëjtën kohë kur ai ishte edhe komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Këta ‘kundërshtarë’, sipas prokurorisë. përfshinin njerëz të ndërlidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, një parti rivale politike, dhe “persona të etnive serbe, rome dhe etnive të tjera”.

Prokuroria ka treguar përmes një konference për statusin e paragjykimit në janar se civilët serbë si dhe trupat dhe oficerët e policisë serbe, u perceptuan si kundërshtarë nga UÇK-ja dhe “sulmoheshin në bazë të përkatësisë së tyre etnike”.

Mirëpo avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, i ka thënë gjykatës se disa nga këta serbë mund të ishin arrestuar për pjesëmarrje në luftime ose për shkak se ata u perceptuan si kërcënim për bashkëpunim me forcat e armatosura serbe.

“Ajo që nuk është e qartë është se si do ta provojë SPO-ja [nëse dikush ishte civil apo pjesëmarrës aktiv në konflikt] bazuar në akuzat e paraqitura në aktakuzë,” thotë Kehoe.

Mbrojtja gjithashtu ka argumentuar se në gjyqet e mëparshme për krime lufte të oficerëve ushtarakë të UÇK-së, si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, u arrit në përfundimin se UÇK-ja nuk kishte kryer “sulm të gjerë apo sistematik” kundër kundërshtarëve civilë, siç pretendon aktakuza kundër Thaçit.

“Popullsia civile nuk është sulmuar, nuk ka pasur sulme sistematike apo të përhapura,” i tha gjykatës në janar Ben Emmerson, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, duke shtuar se “dy panelet e gjyqtarëve [në ICTY] arritën në përfundimin se UÇK nuk ka pasur politikë të sulmit ndaj popullatës civile”.

Edhe Limaj edhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Mbrojtja pretendon trajtim të padrejtë

Avokatët mbrojtës të katër burrave kanë pohuar vazhdimisht se të drejtat e tyre ligjore janë shkelur gjatë fazës paraprake.

Mbrojtja ka insistuar se është vënë në një pozitë të pafavorshme në krahasim me prokurorinë për shkak të zbulimit të vonshëm të provave, hezitimit të prokurorisë për t’i dorëzuar provat potencialisht shfajësuese dhe mungesës së përkthimeve në gjuhën amtare të të akuzuarit.

Një raport monitorues i korrikut të vitit 2022 nga OJQ-ja e ‘Instituti i Kosovës për Drejtësi’, IKD, arriti në përfundimin se çështje të shumta problematike ndikuan në fazën paraprake të rastit, duke përfshirë “redaktimin në aktakuza, vonesat në marrjen e provave, zbulimin e provave të shumta në të njëjtën kohë, pretendime të mos zbulimit të provave shfajësuese dhe vonesave në përkthime”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi’ thotë në raportin e tij se një nga parimet themelore ligjore për ta siguruar një gjykim të drejtë për të pandehurin është “e drejta për qasje në dosjet e lëndës në çdo fazë të procedurës penale” në mënyrë që të sigurohet një ekuilibër i drejtë ndërmjet mundësive që i jepen prokurorisë dhe mbrojtjes.

Raporti i OJQ-së së lartcekur thotë gjithashtu se një tjetër e drejtë themelore për të pandehurit është që t’i kenë “të gjitha dosjet e lëndës që do të përdoren nga prokuroria në një gjuhë që ata e kuptojnë dhe e flasin”.

Në një konferencë për statusin në muajin nëntor, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi prokurorinë ose ta dorëzonte të gjithë materialin provues ose të jipte arsyet se kush po i mbante disa prej tyre.

Provat iu transferuan gjyqtarëve rreth një muaj më vonë. Në një seancë publike në janar, prokuroria më në fund konfirmoi se i kishte zbuluar të gjitha sendet e mundshme shfajësuese që i kishte në zotërim.

Në muajin shkurt, paneli i gjyqtarëve konstatoi se prokuroria “dështoi plotësisht në përputhje me detyrimet e saj për zbulimin e informacionit”, gjë që “rezultoi në një paragjykim të kufizuar ndaj mbrojtjes”.

Gjyqtarët thanë se pasi kishin kaluar më shumë se dy vjet që nga arrestimi i të akuzuarve dhe se gjykimi pritej të fillonte së shpejti, për shkak të sasisë së provave që mbrojtja duhej ende t’i shqyrtonte, nuk kishte më asnjë justifikim për “zbulimin e vonshëm të provave shfajësuese për mbrojtjen”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi’ argumentoi ndërkohë se fakti që të akuzuarit nuk i kishin të gjitha të dhënat e lëndës në gjuhën e tyre amtare, shqipen, ishte “shkelje e hapur” e të drejtave të tyre.

IKD tutje shton se një gjë e tillë “i kufizon ata që të përgatiten për t’i kundërshtuar pretendimet e autoritetit procedues” dhe nga përgatitja efektive e mbrojtjes që do ta përdorin në gjykatë.

Pritet një proces i gjatë gjyqësor

Procesi paraprak në rastin kundër Thaçit dhe të bashkëpandehurve të tij zgjati më shumë se dy vjet.

“Procedura paraprake para [Dhomave të Specializuara] në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve, krahasuar me procedurat e tjera gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë gjykimet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, dhe gjykimet në gjykatat vendore, ishte dukshëm më e gjatë,” thotë Amer Alija, analist juridik në ‘Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë’.

Vlerësohet se gjyqi mund të zgjasë shumë më gjatë. Në një konferencë për statusin më 20 mars, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se prezantimi i provave të prokurorisë mund të zgjasë deri në gjashtë vjet e gjysmë, megjithëse prokuroria ka thënë se do ta përfundojë çështjen deri në prill të vitit 2025. Smith i kërkoi prokurorisë dhe mbrojtjes të gjejnë mënyra për ta zvogëluar kohëzgjatjen e gjykimit.

Dhomat e Specializuara gjithashtu përballen me mungesë besimi në mesin e shumicës shqiptare të Kosovës, gjë që është problematike sepse ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. E ashtuquajtura gjykatë speciale ndodhet në Holandë dhe ka staf ndërkombëtar dhe është themeluar nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët besojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i fuqishëm për t’i gjykuar rastet e UÇK-së dhe për t’i mbrojtur dëshmitarët nga frikësimi.

Shumë shqiptarë të Kosovës besojnë se kjo gjykatë është e njëanshme etnike dhe e denigron luftën e drejtë të UÇK-së kundër represionit serb.

Një raport i vitit 2022 nga Sara L. Ochs dhe Kirbi ëalters, i botuar në revistën Duke Journal of Comparative and International Laë, argumenton se ngrita e padisë kundër Thaçit ndërkohë që ishte në detyrë si president e ka tjetërsuar edhe më shumë klasën politike të Kosovës.

“Duke ngritur padi ndaj udhëheqësve në detyrë, prokurori dhe gjykata i kanë bërë të pamundura mundësitë për ta pranuar çdo lloj bashkëpunimi politik në hetimet e tyre”, thuhet në raport.

Me disa vite seanca dëgjimore që pritet të mbahen, natyra e zgjatur e procedurave nuk ka gjasa ta bëjë më të popullarizuar gjykimin e njerëzve, të cilët, nga shumë shqiptarë të Kosovës shihen si heronj të kohës së luftës.

Artikulli fillimisht u publikua në Balkan Insight.