Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Skepticizmi në Kosovë rreth gjykimit të luftëtarëve të UÇK-së në Hagë

Përpara gjykimit për krime lufte të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-sëë, ka një atmosferë mosbesimi të gjerë ndaj Dhomave së Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të cilat shihen si të njëanshme nga një shumicë shqiptare e Kosovës.

Shtëpia e Sejdi Zymerit në fshatin Likovc është afër vendit ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK-ja, e kishte selinë e saj në rajonin e Drenicës.

Gjatë kohës së luftës, shtëpia e tij u përdor si spitali kryesor i UÇK-së ndërkohë që Sejdiu nuk mund t’i fshehë emocionet e tij kur flet për luftëtarët e plagosur të cilët  u trajtuan këtu – “ai që u mbijetoi plagëve dhe të tjerët që vdiqën”.

Sejdiu shpreh indinjatë lidhur me gjykimin e ardhshëm për krime lufte të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat u ngritën për t’i gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë kohës së  kohës së luftës.

“Kjo gjykatë ekziston vetëm për ta kënaqur Serbinë. Është thjesht një krijesë politike,” deklaron ai për BIRN.

“Mirëpo,  le të shohim se çfarë mund të vërtetohet”, shton ai.

Afishe në mbështetje të të akuzuarve – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – janë vendosur përgjatë rrugës që të shpie në Likovc.

Të katër burrat u bënë politikanë të lartë pas luftës: Thaçi u bë president i Kosovës, Veseli u bë kryeparlamentar dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, Krasniqi ishte kryetar i këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate, partisë NISMA, ndërkohë që Selimi ishte kryetar i  Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Që të katër akuzohen se mbajnë përgjegjësi për vrasje, tortura, ndalime të paligjshme dhe krime të tjera të kryera në qendrat e paraburgimit të UÇK-së gjatë kohës së luftës.

Për Zymerin, sikurse edhe për shumë shqiptarë të Kosovës, e ashtuquajtura ‘gjykatë speciale’ përfaqëson një sulm ndaj luftës së drejtë të UÇK-së kundër represionit serb. Që nga themelimi i kësaj gjykate, zhgënjimi në mesin e popullatës shqiptare ka vazhduar të rritet me atë që shihet si një institucion i njëanshëm që do t’i gjykojë vetëm shqiptarët etnikë, duke i lënë të pandjekura shumë krime të kohës së luftës nga serbët.

Menjëherë pasi Thaçi dhe të tjerët u arrestuan në nëntor të vitit 2020, postera të mëdhenj në mbështetje të tyre u vendosën në ndërtesat publike dhe nëpër rrugët anembanë Kosovës me sloganin “Liria ka emër”.

Dy fonde u krijuan gjithashtu në dhjetor për të mbledhur para për mbrojtjen e tyre – një për Thaçin dhe tjetri për Veselin – përveç mbështetjes së pakufizuar financiare shtetërore që institucionet e Kosovës tashmë ofrojnë për personat e akuzuar nga gjykata e Hagës. Nuk dihet se sa para janë mbledhur dhe organizatorët e fondeve nuk mund të kontaktohen për ndonjë koment.

Përpara fillimit të gjyqit, mbështetësit e Thaçit kanë nisur një fushatë të re, të quajtur gjithashtu ‘Liria ka emër’, fushatë kjo e udhëhequr nga dy anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli. Hoxha dhe Tasholli kanë bërë ftesë për protestë me 2 prill.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare është një përpjekje e pabazë dhe nuk duhet të lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë”, ka thënë Eliza Hoxha.

“Prandaj, me rastin e fillimit të gjykimit të ish-liderëve të UÇK-së, i ftojmë njerëzit në një marsh solidariteti për drejtësi”, shton ajo.

Amer Alija nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se atmosfera përpara gjykimit është e ngjashme me rastet e mëparshme që përfshijnë komandantët e UÇK-së të cilët përballen me akuza për krime lufte në Hagë.

“Kur shefat politikë apo ushtarakë përballen me akuza të tilla, ka një lloj mbështetjeje për të pandehurit,” thotë Alija.

“Është gjykatë e njëanshme”

Para fillimit të gjykimit, mediat kosovare i kanë intensifikuar raportimet e tyre për rastin, duke e vënë theksin tek ndjeshmëria për të akuzuarit dhe luftën e tyre për liri dhe duke ofruar pak mbulim të viktimave.

Disa televizione kanë filluar emisione të reja duke e vënë fokusin në rastet që lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Lajmet televizive lidhur me gjykimin e ardhshëm më së shumti i shfaqin pamjet e Thaçit dhe Veselit gjatë kohës së luftës sesa pamjet nga seancat paraprake në sallën e gjyqit.

“Në këtë fazë paraprake, po shohim që gjykata është kryefjalë në të gjitha mediat në Kosovë, duke u dhënë shumë më tepër hapësirë të akuzuarve sesa viktimave,” thotë për BIRN Nora Ahmetaj, studiuese e drejtësisë tranzicionale.

Në rrugët e kryeqytetit të Prishtinës, kishte një shqetësim nëse Dhomat e Specializuara, një ‘gjykatë hibride’ që është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por me seli në Holandë dhe me staf ndërkombëtar, mund të ofrojë në të vërtetë drejtësi. Kishte gjithashtu shqetësime se gjykata u themelua për t’i ndjekur penalisht luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo serbët të cilët e kanë kryer shumicën e krimeve të luftës në vitet 1998-99.

“Nuk pres asgjë të mirë nga ky mekanizëm sepse është një gjykatë e njëanshme, ndjek penalisht vetëm njërën palë dhe çdo gjë që është e njëanshme nuk mund të jetë e drejtë,” thotë për BIRN Sali Bytyqi, albanolog.

“Mendoj se ata duhej të ishin trajtuar para një gjykate me seli në Kosovë, një gjykatë që do t’i trajtonte të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të barabartë,” argumenton Bytyqi.

“Unë e shoh këtë gjykatë si selektive, të njëanshme dhe me plot probleme të brendshme. Rrjedhimisht, e shoh si të padrejtë”, thotë imami Osman Musliu.

“Nëse i ndiqni penalisht apo e gjykoni luftën e liderëve të UÇK-së, unë pres drejtësi për ta, që do të thotë lirimin e tyre. Mirëpo drejtësia vështirë se mund të vendoset nëse gjykohen në bazë të dosjeve të Serbisë. Jam skeptik për zbatimin e drejtësisë,” shton ai.

Mirëpo, Halil Matoshi thotë se beson se gjykata “do ta vendosë pozicionin e panjollosur të UÇK-së në histori si mburojë e një kombi kundër të cilit Serbia tentoi të bëjë gjenocid”.

“Po, ka mundësi që drejtësia të vendoset,” thotë ai.

“Një klimë frike”

Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë intensifikuar gjithashtu punën e saj në terren përpara fillimit të gjyqit, duke kërkuar t’i bindë shqiptarët e Kosovës se po kërkon drejtësi dhe nuk ka agjendë politike apo etnike.

Përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara kanë zhvilluar takime me organizata të shoqërisë civile, media, studentë dhe të tjerë për të shpjeguar se si funksionon gjykata, cili është mandati i saj, çfarë është bërë për përfshirjen e viktimave në procese gjyqësore dhe për ta përsëritur mesazhin se është një gjykatë e pavarur e cila zhvillon gjykime të drejta dhe të pavarura dhe ndjek penalisht anëtarët e UÇK-së si individë, e jo vetë UÇK-në si organizatë.

Ndërkohë, disa politikanë kosovarë, figura publike, madje edhe disa gazetarë të cilët janë përkrahës të të pandehurve, i kanë vizituar ata në ambientet e paraburgimit në Hagë dhe kanë bërë deklarata në rrjetet sociale për atë që ata e shohin si padrejtësi nga ana e gjykatës.

Dhomat e Specializuara thonë se po qëndrojnë vigjilente ndaj ndikimit që mund të kenë vizita të tilla tek viktimat e krimeve të dyshuara dhe dëshmitarët në gjyq.

“KSC [Dhomat e Specializuara të Kosovës] e merr shumë seriozisht çdo përpjekje për ta penguar mbarëvajtjen e procedurave dhe gjyqtarët në disa raste kanë folur për një klimë frike dhe frikësimi me të cilën po përballen dëshmitarët që po dëshmojnë para Dhomave të Specializuara në Kosovë,” thotë për BIRN zëdhënësja e gjykatës Angela Griep.

Gjyqet e mëparshme të ndërlidhura me UÇK-në në Hagë janë dëmtuar nga ngatërresat e dëshmitarëve dhe udhëheqësit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së tashmë janë dënuar për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve nga Dhomat e Specializuara, edhe pse ata po apelojnë vendimin e gjykatës.

Kenneth Andresen, profesor në Universitetin e Agderit në Norvegji, i cili njihet për hulumtimet e tij mbi çështjet e Ballkanit, thotë se fakti që gjykata u themelua për t’i ndjekur penalisht njerëzit e një grupi etnik ndihmon në përforcimin e një atmosfere armiqësore brenda Kosovës.

“Mendoj se është një situatë e tensionuar sepse shumë kosovarë e shohin këtë gjykatë si të padrejtë. Pra, pa dyshim që etnonacionalizmi mund të rritet pasi të fillojë ky gjyq,” thotë Andresen për BIRN.

Kur Kuvendi i Kosovës votoi në vitin 2015 për themelimin e Dhomave të Specializuara, institucionet kosovare e shpjeguan atë si një mënyrë për ta pastruar imazhin e Kosovës.

Themelimi i gjykatës speciale erdhi si përgjigje ndaj akuzave serioze të ngritura nga një raport i Këshillit të Evropës në vitin 2010 i shkruar nga senatori zviceran Dick Marty për krimet që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së. Një grup pune i Bashkimit Evropian i shqyrtoi më pas akuzat e Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për ndjekje penale për vepra, të tilla si vrasjet, rrëmbimet, ndalimet e paligjshme dhe dhuna seksuale.

Udhëheqësit politikë të Kosovës u dakorduan ta themelonin gjykatën e lartcekur nën presion të madh nga mbështetësit perëndimorë, mirëpo në vitin 2017, presidenti Thaçi u përpoq ta përmbyste të njëjtën dhe dështoi në një tentim të tillë.

Gezim Visoka, profesor nga Kosova i studimeve të paqes dhe konfliktit në Shkollën e Drejtësisë dhe Qeverisë në Universitetin e Qytetit të Dublinit, thotë se ekziston rreziku i rritjes së retorikës etno-nacionaliste rreth gjukimit.

“Është pjesë e procesit të drejtësisë tranzicionale që shpesh ofron mundësi për grupet në konflikt që t’i përforcojnë narrativat antagoniste dhe ato kundër paqes,” thotë Visoka për BIRN.

Mirëpo, Visoka parashikon gjithashtu se mund të ketë “intensifikim të punës së institucioneve të Kosovës në ndjekjen penale të krimeve të luftës si kundërpërgjigje ndaj Gjykatës Speciale dhe veprime strategjike për t’i dokumentuar dhe ndjekur krimet e anashkaluara të luftës “.

Ndërkohë në Serbi, gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve ka marrë pak mbulim deri më tani. Përveç informacionit faktik për datën e fillimit dhe disa raporteve sensacionale nga stacionet televizive të stilit tabloid, përcjellja nga afër e armikut të kohës së luftës të Serbisë nuk ka ngjallur interes të madh në mediat e Serbisë./Balkan Insight