VIDEO - Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim

Sali Mustafa i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali” është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: torturë si krime lufte, ndalim arbitrar-si pjesë e ndërmarrjes kriminale, dhe vrasje e paligjshme”-ka thënë gjykatësja.

Në fillim të seancës ka folur gjyqtarja, Mappie Veldt Folia, e cila tha se kjo gjykatë nuk është kundër UÇK-së dhe se në asnjë momentet nuk u gjykua UÇK-ja, ishte vetëm Mustafa ai që u gjykua.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje e paligjshme.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij, Salih Mustafa nuk e kishte pranuar fajësinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.