Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, shtyhet mbajtja e katër seancave të parapara për në shkurt

Seancat gjyqësore që ishin paraparë të mbaheshin ndërmjet datave 12 dhe 15 shkurt në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale janë shtyrë.

Këtë e ka bërë të ditur Gjykata sot.

Në njoftim bëhet e ditur se kërkesën për shtyrje të seancave e ka bërë mbrojtja e Kadri Veselit.

“Më 2 janar 2024, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes së Veselit dhe i anuloi seancat në këtë çështje nga data 12 deri më 15 shkurt. Trupi Gjykues konstatoi se Mbrojtja ka treguar një arsye të vlefshme për një ndryshim të kufizuar të orarit për të garantuar që mundësia e Mbrojtjes për t’u përgatitur për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të ardhshëm të mos ndikohet nga vdekja e papritur e bashkë mbrojtësit të saj si dhe rekrutimi i mëpasshëm i zëvendësuesit të tij”, – thuhet në njoftim.

Ndryshe Andrew Strong, avokat i ekipit të mbrojtjes së Kadri Veselit, vdiq në nëntor 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genwl Metro dhe Fergal Gejnor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.