Avni Arifi | Foto: RTV 21

Avni Arifi Kërkon Falje që nuk iu Përgjigj Gazetarëve për Dialogun

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime teknike me Serbinë, Avni Arifi, një ditë pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel të ndërmjetësuara nga BE-ja, njoftoi në facebook për përfundimin e tyre.

Arifi tregoi se kush mori pjesë në këto bisedime, por nuk shkroi asgjë se si kanë shkuar bisedimet.

“Se si kanë shkuar bisedimet jemi pajtuar që komentet të i bëjë Zyra për Informim e BE-së. Për hir të korrektësisë do t’i përmbahem kësaj marrëveshjeje dhe kërkoj falje para të gjithë atyre gazetarëve që këto ditë ishin në kërkim të informatave që unë nuk munda të përgjigjem”, ka shkruar Arifi.

Ai e ka ndjerë për obligim të bëjë një sqarim sa i përket përbërjes së delegacionit të Kosovës.

“Në këtë delegacion që unë e udhëheq kanë marrë pjesë vetëm edhe tre përfaqësues politikë (Ardian Arifaj, Blerand Stavileci dhe Endrit Shala). Të gjithë anëtarët e tjerë të delegacionit janë ekspertë të fushave dhe kriteri i vetëm i pjesëmarrjes ka qenë ekspertiza për fushën, pozita funksionale brenda institucionit relevant me marrëveshjen dhe pjesëmarrja e mëparshme në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, tha ai.

Arifi, në Komisionin për Punë të Jashtme, kishte thënë se në takim, i cili do të mbahet në Bruksel më 26 shkurt, do të insistojë në zbatueshmëri të marrëveshjeve.

“Orientimi jonë është t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i raporteve Kosovë Serbi. Normalizim nuk mund të ketë pa njohje reciproke”, kishte thënë Arifi.

Ai gjithashtu kishte premtuar që para këtij komisioni do të raportojë sa herë që të paraqitet nevoja.