Ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës Heton Marrëveshjen e IPKO-s me DigitAlb

Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka vendosur për fillimin e procedurës hetimore kundër IPKO Komunikimet dhe Digit Alb SH.A. pas një ankese të bërë nga Telekomi i Kosovës.

Telekomi i Kosovës, me pretendimin se IPKO ka pozitë dominuese në tregun e Kosovës ka paraqitur ankesë për hetimin e IPKO-s, në mënyrë që të analizohet se a ka ndikim mbi konkurrencën në treg.

“Autoriteti duke pasur parasysh kërkesën e Telekomit të Kosovës, SH.A me seli ne Prishtinë – Dardania p.n, me Nr.Prot.298/15-01 Datë:10.03.2017, të bëjë vlerësimin ex-post të objektit të Marrëveshjes Ekskluzive e lidhur ndërmjet operatorëve ekonomik Ipko Komunikimet me Digit Alb, SH.A në mënyrë që të analizohet nëse ka ndikim mbi konkurrencën në treg”, thuhet në komunikatën e AKK.

Në pikat e Ankeses së Telekomit të siguruara nga KALLXO.com thuhet se Ipko dhe Digit – Alb SH.A për me tepër se 13 vite kanë të nënshkruar kontratë ekskluzive me të cilën Ipko është distributor ekskluziv i produkteve të kompanisë Digit–Alb SH.A, duke mos lejuar që asnjë operator tjetër i licencuar të ketë qasje në paketën e programeve Digit Alb, duke krijuar monopol në tregun përkatës dhe dëmtuar konkurrencën e lirë dhe të garantuar në treg.

Gjithashtu, pika tjera të ankesës janë: Telekomi i Kosovës, i cili posedon infrastrukturën më të zhvilluar të rrjetit të telekomunikimeve është përjashtuar nga gara e produkteve televizive. Telekomi i Kosovës  është refuzuar nga prodhuesi Digit- Alb për mundësin e blerjes për shkak te klauzolave kundërligjore për te kontratës me Ipko-n si dhe Kontrata ekskluzive komerciale është konfidenciale dhe nuk është e publikuar përveçse zyrtarisht janë deklaruar se Ipko është distributor ekskluziv i Digit Alb-it.

Paraqitësi i iniciativës pretendon se IPKO ka pozitë dominuese në tregun përkatës sipas nenit 10 të Ligjit 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Zyrtarë të IPKO-s nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë një koment të menjëhershëm në pyetjen e KALLXO.com rreth këtij vendimi.