AKRK i shqipton ndërmarrjes MTS gjobë mbi 1.56 milion euro

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës njofton se ndërmarrjes MTS d.o.o, filial i Telekomit të Serbisë në Kosovë, i ka shqiptuar gjobën prej 1 milion e 563 mijë e 959 euro, duke u bazuar në Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton opinionin se duke u bazuar në legjislacionin  në fuqi në Republikën e Kosovës, më saktësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1,563,959.26 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë euro e njëzetë e gjashtë cent)”- thuhet në njoftim.

AKRK thotë se MTS d.o.o. ka shkelur dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.

“AKRK njofton se Ndërmarrja MTS d.o.o ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100% të aksioneve të  ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International”- theksohet në njoftim.

AKRK pati njoftuar se ka nisur hetim ndaj MTS d.o.o, filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë.

Ky hetim ka nisur nën dyshimin se ndërmarrja ka realizuar shtiblerje të aksioneve në tregun përkatës duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet e tjera për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë