Autoriteti i Konkurrencës: Kemi nisur procedurë hetimore ndaj 'Devolli Corporation Sh.p.k' dhe 'Kujtesa Net Sh.p.k'

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar procedurën hetimore ndaj dy ndërmarrjeve, Devolli Corporation Sh.p.k dhe Kujtesa Net Sh.p.k, për dyshimet se ato kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës “pa përmbushur detyrimin ligjor për njoftimin e përqendrimit”.

Konkluzioni për fillimin e kësaj procedure hetimore thuhet se është shpallur mëe datë 20.03.2024 nga Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës.

Sipas komunikatës së Autoritetit të Konkurrencës,këto dy kompani dyshohet se kanë realizuar transaksione të aksioneve në tregun e telekomunikimeve dhe kabllore në territorin e Kosovës.

Autoriteti pretendon se ndërmarrjet në fjalë, Devolli Corporation Sh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k., kanë bërë shitblerjen e aksioneve pa paraqitur njoftimin e përqendrimit përkatës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Bazuar në këtë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur fillimin e procedurës hetimore ndaj Devolli Corporation Sh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k. për shkak të dyshimeve të arsyeshme për realizimin e shitblerjeve të aksioneve në tregun përkatës; Kërkesën për paraqitjen e dokumenteve specifike të procedurës hetimore, përfshirë marrëveshjen për shitblerjen e aksioneve, transaksionet bankare dhe dokumentacionin e nevojshëm nga ARBK” – thuhet në komunikatën e Autoritetit të Konkurrencës.

Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë “Kujtesa Net Sh.p.k” dhe “Devolli Corporation Sh.p.k” dhe është në pritje të përgjigjeve.