Autoriteti i Konkurrencës po heton ‘Ibër Lepencin’ për shitjen e energjisë

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës është duke hetuar ndërmarrjen ‘Ibër Lepenci’ për tenderin për shitjen e energjisë për të cilin ishte gjobitur mbi 100 mijë euro nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Kështu ka bërë të ditur, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit, Selajdin Beqa sot në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se kërkesën për hetim e kanë pranuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 23 dhjetor të vitit të kaluar.

“Pas ardhjes së komisionit, edhe këtë rast e kemi shqyrtuar, është fjala për një kontratë e cila ka pasur indice të mjaftueshme për të hapur hetim. Në dhjetor grupi i punës ka hartuar një raport preliminar dhe me 23 dhjetor Komisioni ka marrë hetim, tash jemi në zhvillimin procedural do të thotë hetim i thellë. Ende nuk kemi një epilog të hetimeve”- tha ai.

“Po ta shohësh atë kontratë është e çuditshme, nuk arrin t`i shohësh as shkronjat. Jemi në proces e sipër, por edhe si i tillë, ka qenë e pamundur me ndërpre atë kontratë sepse në arbitrazh shteti i Kosovës mund të humb në mënyrë enorme”- shtoi ai.

Në dhjetor të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte gjobitur ndërmarrjen ‘Ibër Lepenci’ me 110 mijë euro për shitjen e energjisë elektrike jashtë Kosovës.

Sipas ZRRE-së kjo gjobë është shqiptuar për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me vazhdimin e kontratës për shitjen e energjisë elektrike në kundërshtim me procedurat për tregtim të energjisë elektrike.

ZRrE gjobit ‘HC Ujmanin’ me 110 mijë euro për një kontratë të shitjes së energjisë