Auto Ambulanca Lëviz pa Regjistrim qe 3 Muaj

Auto-ambulanca e Komunës së Mitrovicës me të cilën barten personat që janë nën tretmanin e dializës është vetëm njëra nga disa vetura tjera të kësaj komune që janë pa sigurim dhe regjistrim adekuat.

Kjo auto-ambulancë vazhdon të lëvizë 3 herë në ditë për t’i bartur këta persona nga shtëpia e tyre drejt repartit të dializës dhe anasjelltas edhe pse regjistrimi i saj ka skaduar më 17 nëntor të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka siguruar disa libreza të veturave të Komunës së Mitrovicës ku shihet se ato tash e gati 3 muaj janë pa sigurime. Një e tillë është edhe kjo e autoambulancës.

KALLXO.com ka kërkuar të marrë përgjigje nga komuna e Mitrovicës për arsyen se pse këto vetura janë pa regjistrime edhe pse çdo ditë shihen duke lëvizur në qytet mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Zëdhënësja e kësaj komune Blerina Kastrati edhe pse disa herë ka kërkuar kohë shtesë për të kthyer një përgjigje tash e 10 ditë nuk është përgjigjur.

Pamjet janë të dy ditë me parë kur ajo shihet duke dalë nga reparti i dializës për t’i shpërndarë personat që trajtohen në dializë.