Mosfunksionalizimi i semaforëve në Mitrovicë Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Semaforët në qendër të Mitrovicës jofunksionalë prej javësh, qytetarët ankohen për tollovinë në trafik

Mosfunksionalizimi i semaforëve në rrugën “Shemsi Ahmeti” e cila gjendet në qendër të Mitrovicës, po bën që në këtë pjesë të bëhet kaos me qarkullimin e veturave.

Në këtë pjesë të qytetit, shihet një numër i madh i veturave dhe këmbësorëve të cilët nuk mund të koordinohen pa shenjat ndriçuese.

“Tollovi, full. Sa ke një kalimtare fëmijë kesh tu e këqyrë. As nuk e dike a është në semafor as ku është?” – ka thënë qytetari Rrahman Shala.

E Besa Shala qytetare e Mitrovicës thotë se komuna duhet ta rregullojë këtë çështje.

“Komuna duhet me marrë masa. Asnjë semafor në qytet s’e ke. Prej para Bajramit nuk janë duke funksionuar”- u shpreh Shala.

Një tjetër qytetar, gjendjen e sheh si gjysmë pozitive. Rrahim Grepi thotë se qytetarët po i japin përparësi njëri tjetrit.

“Tollovia me semafora është 50 për qind pozitive dhe 50 për qind negative. Nganjëherë është më mirë se po i japin njëri-tjetrit përparësi. Shumë ma lehtë, shumë ma mirë. Që 1 muj nuk janë t’u funksionu. Për neve si taksistë është problem se jemi në qarkullim nonstop”- ka thënë Grepi.

Mosfunksionalizimi i semaforëve në Mitrovicë. Foto: Florinda Kelmendi më 18.04.2024

Kurse, Granit Tmava, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka thënë më 18.04.2024, se semaforët nuk janë funksionalë prej 3 ose 4 ditësh, teksa KALLXO.com kishte bërë fotografi me datë 09.04.2024, ku shihej se semaforët nuk ishin duke punuar.

“Tash e 3-4 ditë nuk janë t’u punu për shkak se ka dalë problem diçka me softeurin. Është duke u bë rregullimi i tyre. Po presim që në afate shumë të shpejta kohore me u rregullu. Ndihmë e madhe për komunikacionin është që me qenë në funksion semaforët, mirëpo është një defekt që ka ndodhë dhe po presim që me bë përmirësimin. Sa më shpejt nënkupton mund të ndodhë brenda ditës, nesër, varësisht deri sa të bëhet zgjidhja e problemit”- ka thënë Tmava.

Mosfunksionalizimi i semaforëve në Mitrovicë. Foto: Florinda Kelmendi më 09.04.2024