Nga shpallja e aktgjykimit për Ardian Gjurajn. Foto: Kallxo.com

Ardian Gjuraj Dënohet për Akuzat që Lidhen me Terrorizëm

Ardian Gjuraj, i akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm, është shpallur sot fajtor dhe është dënuar me një vit e pesë muaj burgim.

Në dënim atij do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim që nga data 5 shtator 2016.

Pasi që i njëjti tashmë ka kaluar një javë më tepër sesa dënimi paraparë atij pritet që sot t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të lirohet.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj Hyseni tha se trupi gjykues ka konstatuar se vepra penale për të cilën akuzohet Ardian Gjuraj ka mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj akuzohet për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

http://kallxo.com/prokurorja-nuk-kam-prova-direkte-ndaj-te-akuzuarit-per-terrorizem/