Të akuzuarit për terrorizëm po përballen me video-incizime të prokurorisë të cilat shfaqin pamje të takimeve mes tyre

Në Gjykatën e Prishtinës kanë dalur para trupit gjykues të akuzuarit Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi dhe Mentor Bellaqa, të akuzuar për kryerjen e veprave penale që kanë lidhje me terrorizëm dhe ndihmë në përgatitje të veprave terroriste kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në seancën e së martës e cila është duke vazhduar në këtë Gjykatë, Prokuroria Speciale ka sjellur pamje nga video-incizime të kamerave të sigurisë nga disa lokale në Prizren, ku shihen të akuzuarit që takohen mes vete dhe bisedojnë.

Këto pamje nga kamera të sigurisë janë pa audio.

Një takim tjetër i shfaqur nga prokuroria i përket datës 7.10.2021 ora 15:00, mes të akuzuarit Nehrudin Skenderi dhe Shkodran Krasniqi, sipas prokurorit special Afrim Shefkiu aty ishte bërë një pagesë me të holla, të cilat i kishte pranuar Shkodran Krasniqi.

Ndaj këtyre pamjeve, patën kundërshtime mbrojtësit Haxhi Millaku, i cili mbron të akuzuarin Ergim Syla dhe Tomë Gashi, mbrojtës i të akuzuarit Nehrudin Skenderi.

Trupi gjykues përbehët nga Valbonë Selimaj – kryetare, Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari – anëtarë të trupit gjykues.

Sipas aktakuzës voluminoze 45 faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, periudha kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS e ku janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG ( raketa hedhës), eksplozivë dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardijan Gjurajn akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve e të njëtjat i kishin fshehur në një bure të plastikës duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike AK-47 e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë kontrollimit të policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga lloje të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më datën 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t`i pranuar-blerë një RPG, 8 predha të murtajës së dorës, një pajise optike për zmadhim (dylbi) e RPG-së,  e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, nën përcjellje të tij ishin edhe Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarjes dhe më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardijan Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar akuzohet edhe Mentor Bellaqa.

Kurse Ardijan Gjuraj akuzohet se ka kryer veprën penale moslajmërim i përgatitjes së veprës penale pasi që nga tetori i vitit 2020 e deri më datën 02.11.2022 kishte qenë në dijeni se i pandehuri (tashmë i ndjeri K. F.) ishte duke përgatitur vepra penale terroriste dhe me të kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me të ndjerin përmes rrjetit social “Instagram”.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale theksohet se më datën 02.11.2022 i ndjeri kishte kryer aktin terrorist në Vjenë duke lënë të vrarë katër përsona e duke plagosur katër të tjerë, më pas ishte vrarë nga autoritetet Austriake.

I akuzuari Nehrudin Skenderi akuzohet se kishte financuar Shkodran Krasniqin në shumën prej 2 mijë euro me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit e me të cilat do të kryheshin veprat penale terroriste.

Kështu vetëm Nehrudin Skenderi akuzohet për veprën penale lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizimit.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë  – LINK