Gjykimi për shtytje të terrorizmit, i akuzuari bën thirrje të mos ndiqet shembulli i tij

Liridon Beqiri është ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat për shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje, pasi ka pranuar fajësinë në seancën e datës 04.03.2024.

Në seancën e së mërkurës (06.03.2024) Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarit i thanë rrethanat të cilat pretendojnë se Gjykata duhet të marrë parasysh për matjen e lartësisë së dënimit.

I akuzuari Liridon Beqiri shfrytëzoi rastin që gjatë seancës të bëjë thirrje rinisë që të mos e ndjekin shembullin e tij.

“E them publikisht, edhe për popullin edhe për rininë teme… mos me e bo të njëjtin send që e kam bërë unë, mos me marrë si shembull çështjen time se i pret një e ardhme që te evlad e tyre ka me ndiku”- tha Liridon Beqiri.

“Kanë me e pa vetë që nuk është e ligjshme ose trimëri me dalë me armë dhe me u fotografu me armë ose me qenë një pjesë, me anu kah një ideologji që ata e perceptojnë sipas vetes së tyre”- shtoi tutje Beqiri.

Në ndërkohë prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu tha se ka një mori rrethanash rënduese duke përmendur, ndër tjerash, edhe fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri.

“E kemi të njohur faktin se pikërisht grupmosha të cilës i takon i akuzuari në një numër relativisht të lartë në shtetin tonë, rreth 100 persona kanë marrë pjesë në zonën e konfliktit në Siri”- tha Prokurorja Fejzullahu.

Lidhur me këtë prokurorja pretendoi se veprimet e të akuzuarit kanë mundur të ndikojnë në motivimin e qytetareve që të i bashkëngjiten këtyre konflikteve.

“Veprimet e të akuzuarit kanë pasur mundësi direkte që të dërgojnë porosi të rrezikshme pikërisht në gjenerata të reja në konteksti të kësaj edhe motivimi pikërisht i kësaj kategorie të qytetarëve që të marrin rrugën përsëri të rrezikshme nëpër zona të konfliktit”- tha prokurorja.

Në anën tjetër mbrojtja e të akuzuarit, avokati Veton Rrecaj kërkoi nga gjykata që Liridon Beqirit t`i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Si rrethana lehtësuese ai theksoi pranimin e fajësisë, pendimin se në të ardhmen nuk do të kryej më vepër penale, moshën e re, faktin se ka dy fëmijë, përgatitjen e tij shkollore dhe gjendjen e dobët ekonomike.

Aktakuza për këtë rast është ngritur dhe po përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, ndërsa rasti po gjykohet në Departamentin Special nga gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më datë 07.03.2024.

Prokuroria Speciale me aktakuzën e datës 24.01.2024 ka akuzuar Liridon Beqirin, Besart Veselajn, Ernes Beqirin, Argjend Hotin dhe Altin Salihun për vepra penale që lidhen me terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

Konkretisht, grupi po akuzohet se kanë shpërndarë materiale propagandistike të organizatës terroriste ISIS dhe për këtë ngarkohen me veprën penale të shtytjes për kryerjen e veprave terroriste. Vepër kjo e cila në legjislacionin penal të Kosovës dënohet me 1 deri në 5 vite burgim.

Në seancën fillestare të datës 04.03.2024, i akuzuari Liridon Beqiri e kishte pranuar fajësinë për atë çka akuzohet, andaj edhe gjykimi ndaj tij u veçua.

Të akuzuarit ishin arrestuar me 15.05.2023 pas një aksioni kundër terrorit nga Policia e Kosovës.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, janë zbuluar edhe emrat arabë të cilët i kishin përdorur të akuzuarit.

Kështu, i pandehuri Liridon Beqiri quhej “Ebu Jahja”, Besart Veselaj njihej si “Abdul Malik”, e Altin Salihi si “Ebubekir”.

Të gjithë të akuzuarit ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, pesë të akuzuarit kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te persona të tjerë në kryerjen e veprave terroriste përmes fotografive dhe videove.

Dosja thotë se e tërë kjo ka ndodhur në Pejë dhe Istog, në vazhdimësi dhe në periudhë të panjohur kohore.

Sipas dosjes, të akuzuarit janë mbledhur në shtëpitë e të akuzuarve Besart Veselaj dhe Liridon Beqiri në Pejë dhe Istog, ku kanë bërë foto dhe video me uniforma të luftëtarëve të organizatës terroriste ISIS dhe duke gjuajtur me armë të gjata.

Tutje, dosja thotë se të akuzuarit kanë modifikuar dhe përkthyer, e më pas kanë shpërndarë, pamje të vrasjeve masive, ekzekutimeve e torturave të njerëzve të zënë rob nga organizata terroriste ISIS.

Po ashtu, aktakuza thotë se në këto materiale përfshihen thirrje për xhihad si “festa ime është Xhihadi” dhe “muzika e saj janë plumbat që fluturojnë mbi kokën time”.

Tutje Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje lidhur me armë të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpive të tyre.

Në shtëpinë e Liridon Beqirit, sipas aktakuzës, janë gjetur një armë e gjatë e tipit AK – 47, një pistoletë, karikator me dy fishek me Ekol Special EV13, pjesë të armës së gjatë, dy thika e fishek me gaz.

Kurse tek i pandehuri Besart Veselaj, sipas aktakuzës, janë gjetur një armë pistoletë me karikatorë, dy thika si dhe prova të tjera materiale.