Të akuzuarit Ergim Syla, Mentor Bellaqa, Ardian Gjuraj dhe Nuredin Skenderi

Historiku i gjykimi të katërshes së akuzuar për terrorizëm – Si u kapën dhe për çka u dënuan?

Ardian Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Ergim Syla janë katër të akuzuarit që u dënuan sot me mbi 30 vite burgim për terrorizëm.

Rast ky i gjykuar nga trupi gjykues me kryetaren Valbona Selimaj Musliu dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari. Ndërsa Prokurorinë Speciale e përfaqësoi prokurori Afrim Shefkiu.

Në tetor të vitit 2021, pas tre muajsh nën hetime, Ardian Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Mentor Bellaqa, Ergim Syla e Shkodran Krasniqi u arrestuan nën dyshimet për përgatitjen e veprave terroriste pasi ranë pre e shitblerjes së simuluar të implementuar nga Policia e Kosovës.

Të pandehurit akuzohen se janë përpjekur të themelojnë strukturë të organizuar terroriste me ç‘rast janë angazhuar për sigurimin e një arsenal të armëve të ndryshme të zjarrit. Kjo përmes kontaktit të vazhdueshëm me Abu Talha Muhajir, person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS.

Një mitraloz, tre pushka të tipit AK – 47, gjithsej mbi tetë mijë fishek, gjashtë granata dore, 30 denator të granatave e 16 karikator të AK – 47 janë ato se çka u gjetën të groposur në një bure të plastikës.

Këto sipas aktakuzës ishin gjetur e groposur nga Ardian Gjuraj dhe Ergim Syla.

Përveç këtyre, në shtëpinë e Mentor Bellaqës, aktakuza përshkruan se ishin gjetur 400 eksplozivë të llojit TNT, granatë dore, detonator të granatës, mbi 500 fishekë, pushkë e llojit Zastava etj.

Prokuroria Speciale i akuzon Ardian Gjuraj, Ergim Syla, Nuhredin Skenderin dhe Mentor Bellaqën për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Kurse lidhur me arsenalin e armëve të lartcekur Ardian Gjuraj, Ergim Syla dhe Mentor Ballaqa akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, grupi i të akuzuarve kishin shprehur interes edhe në blerjen e një RPG – je, e njohur si mortajë dore, blera e të cilës armë çoi deri tek arrestimi i të akuzuarve.

Pazari me RPG u implementua si masë e simuluar e shitblerjes nga Policia e Kosovës, operacion ky që mundësoi arrestimin e pesë të akuzuarve.

Nuhredin Skenderi, siç thuhet në aktakuzë, i kishte dorëzuar shumën prej 2 mijë eurosh tani të dënuarit Shkodran Krasniqi, për blerjen e RPG – së.

Procedura gjyqësore

Pas dyshimeve për përgatitjen e sulmeve terroriste, hetimet për këtë rast filluan me 27 gusht të vitit 2021. Hetime këto të zhvilluara nga ana e Policisë së Kosovës dhe Departamentit Kundër Terrorizmit.

Pas tre muajsh, të akuzuarit u arrestuan, saktësisht me 10 tetor të po atij viti, ndërsa aktakuza u ngrit një vit e dy muaj më pas.

Dyshimet për terrorizëm u konkretizuan në dhjetor të vitit 2022 me rastin e ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.

Gjykimi filloi as një muaj më pas, në janar të vitit 2023 me seancën e shqyrtimit fillestar.

Në atë seancë, Ardian Gjuraj dhe Nuhredin Skenderi ishin deklaruar se ndihen të pafajshëm për të gjitha akuzat. Ndërkaq Ergim Syla e pranoi fajësinë sa i përket armëmbajtjes pa leje, por që ky pranim u refuzua nga gjykata. Mentor Bellaqa është deklaruar i pafajshëm sa i përket pikës që ka të bëjë me përgatitjen e veprave terroriste.

Në më pak se 2 vite pas ngritjes së aktakuzës, gjykimi preku fundin në dhjetor të vitit që shkoi kur Gjykata i shpalli fajtorë.

Mirëpo shpallja e aktgjykimit nuk ishte seanca që i dha fund këtij gjykimi, pasi u caktua edhe një seancë shtesë për matjen dhe caktimin e dënimit.

Kujtojmë se një seancë e tillë është risi në Kodin e fundit të Procedurës Penale që hyri në fuqi në vitin 2022.

Në këtë seancë prezantuan dy zyrtarë të Shërbimit Sprovues të cilës para gjykatës prezantuan raportin para ndëshkimor i cili u përpilua pas kontaktit me të akuzuarit, familjarët e rrethin e tyre.

Për dy të akuzuarit Ardian Gjuraj dhe Ergim Syla, elaboroi zyrtarja Merita Peli, ndërsa për Nuhredin Skenderin dhe Mentor Bellaqën, zyrtari Ramiz Baxhaki.

Për të akuzuarin Gjuraj, Peli propozoi që të shqiptohet dënim alternativ, duke u bazuar në kushtet e vështira ekonomike jetësore të familjes së tij.

Ndërkaq, edhe për të akuzuarin Ergim Syla propozoi njëlloj e po ashtu duke u bazuar në kushtet e vështira ekonomike.

Sa i përket të akuzuarit Nuhredin Skenderi, zyrtari përgjegjës, Ramiz Baxhaki, tha se qëndron prapa raportit të përpiluar nga Shërbimi Sprovues. Kurse, për të akuzuarin Bellaqa nuk u thellua fare në elaborim.

Sipas aktakuzës, Shkodran Krasniqi fillimisht kishe qenë pjesë e grupit të të akuzuarve, por për dallim nga ta, ai kishte pranuar fajësinë qysh në shqyrtimin fillestar të datës 10 janar të viti të shkuar. Kështu ndaj të njëjtit u veçua procedura.

Krasniqi me qëllim të shitjes ndaj grupit të të akuzuarve, ka pranuar shumën prej 2 mijë euro për blerjen e  armëve të zjarrit, ndër të cilat një RPG mortajë dore, tetë predha të RPG -së dhe një dylbi të RPG-së.

Paratë i kishte pranuar nga Nuhredin Skenderi disa ditë para blerjes së simuluar që rezultoi me arrestimet.

Shkodran Krasniqi ishte akuzuar e më pas dënuar për veprën penale importit, eksportit, furnizimit, transportimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit ose shitjes së paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, akuzë e cila nuk kishte të bënte fare me terrorizëm.

Për këtë, ai u dënua me 15 muaj burgim dhe gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Tetori i vitit 2021 nuk ishte hera e parë që Ardian Gjuraj ra në prangat e Policisë, dersia nuk është as hera e parë që po akuzohet për terrorizëm.

Ani pse kurrë i dënuar me vendim të formës së prerë, Ardian Gjuraj ka kohë që akuzohet e gjykohet për terrorizëm nga organet e rendit.

Gjuraj ishte përballur me drejtësinë edhe në vitin 2018, kur gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar pikërisht për terrorizëm.

Mirëpo ky vendim ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit, e cila Gjurajn e kishte liruar nga akuzat pas ankesës së mbrojtës.

Atëkohë ai ishte akuzuar se gjatë viteve 2014 – 2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste ISIS.

Gjuraj akuzohej se në dhjetor të vitit 2015 kishte udhëtuar me grupin e organizatës ‘Liza – R’ drejt Turqisë, ku ai ishte ndarë nga grupi e kishte vazhduar udhën për në Siri, ku u ishte bashkuar kosovarëve pjesëtarë të ISIS.

Sipas asaj aktakuze, Gjuraj ishte prangosur në Turqi nga autoritetet turke në shkurt të vitit 2016 pasi ishte futur ilegalisht në territorin e Turqisë duke kaluar kufirin e Sirisë.

Ai kishte qenë i akuzuar për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Përveç të gjitha këtyre, aktakuza e rastit aktual përfshin edhe një veprim i cili ka të bëjë vetëm me Gjurajn dhe jo me pjesë tjetër të grupit të akuzuar.

Kjo akuzë që i bie në barrë Gjurajt, ka të bëjë me rastin e sulmit terrorist që kishte ndodhur në Vjenë të Austrisë në vitin 2020, ku kishin mbetur të vrarë katër persona dhe katër të tjerë të plagosur.

Sipas aktakuzës Gjuraj ka qenë në dijeni për përgatitjen e sulmit të tillë dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryerësin e këtij sulmi, K.F. i cili kishte mbetur i vrarë nga policia austriake.

Për këtë Prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të mos-lajmërimit të përgatitjes së veprës penale, por që për këtë vepër u lirua.