Gjykata sot pritet të marrë vendim për katër të akuzuarit për terrorizëm

Ardian Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Mentor Bellaqa e Ergim Syla janë katër të akuzuarit për terrorizëm për të cilët Gjykata e Prishtinës sot pritet të jap dënimin.

Të njëjtit ishin shpallur fajtor në shpalljen e 18 dhjetorit të vitit 2013 nga trupi gjykues me kryetaren Valbona Musliu Selmaj.

Kështu, Ardian Gjuraj, Mentor Bellaqa e Ergim Syla u shpallën fajtorë për përgatitje të veprave penale terroriste. Gjuraj e Syla u shpallën fajtor edhe për armëmbajtje pa leje.

Kurse Nuhredin Skenderi u shpall fajtor për lehtësim dhe financim të terrorizmit.

Ardian Gjuraj ishte i akuzuar edhe për mos lajmërim të veprës penale, në lidhje me sulmin terrorist në Vienë në vitin 2020 ku mbetën të vrarë 4 persona e 4 të tjerë të plagosur, mirëpo për këto akuza u shpall i pafajshëm.

Pas kësaj shpallje caktoi edhe seancën për matjen e dënimit e cila u mbajt të enjten e javës së kaluar, ndërsa sot pritet të jepet edhe dënimi për të njejtit.

Sipas aktakuzës voluminoze 45 faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, periudha kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS e ku janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG (raketa hedhës), eksplozivë dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardijan Gjurajn akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve e të njëjtat i kishin fshehur në një bure të plastikës duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike AK-47 e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë kontrollimit të policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga lloje të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më datën 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t`i pranuar-blerë një RPG, 8 predha të murtajës së dorës, një pajise optike për zmadhim (dylbi) e RPG-së,  e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, nën përcjellje të tij ishin edhe Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarjes dhe më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardijan Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar akuzohet edhe Mentor Bellaqa.