Projekti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore | Foto: KALLXO.com

Ahmeti: Paratë Rrezik për Trashëgiminë Kulturore

Në punëtorinë “Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë” të zhvilluar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se kjo trashëgimi po rrezikohet nga paraja.

“Paraja është rreziku kryesor për trashëgiminë kulturore. Se e kemi trashëgiminë kulturore në toka të shtrenjta dhe aty më mirë është me e mbaru një banesë 10 kat se sa me e lënë një objekt të vjetër i cili neve na e përkujton historinë,” tha Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës më tutje tregoi se sa vështirë është të ruhen objektet e vjetra në kryeqytet.

“Duhet me luftu për çdo ditë për një familje e cila e ka trashëgu një shpi e cila është ndërtu në vitin 1925. Dhe të gjithë i themi se është një trashëgimi kulturore, por ajo familje e ka ndërmend qysh me jau ndërtu do banesa tre apo katër fëmijëve që i ka. Dhe me i bo do pare me jau siguru jetën fëmijëve dhe nuk i intereson trashëgimia kulturore,” tha Ahmeti.

Punëtoria në kuadër të projektit për trashëgimi kulturore u organizua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa në të morën pjesë të rinj të moshës 16 deri 25 vjeç.

Ahmeti u tha këtyre të rinjve se lufta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore fitohet, nëse asaj i bashkohen shumë njerëz.

“Në këtë luftë nuk ka serbë, nuk ka shqiptarë, nuk ka myslimanë, nuk ka katolikë, ortodoksë, turq, goranë, boshnjakë. Në këtë luftë ka njerëz që duan ta ruajnë pasurinë, duan ta ruajnë historinë, duan t’i ruajnë tregimet tona. Sa më shumë që jemi aq më të mëdha janë gjasat që ne ta fitojmë këtë luftë,” tha Ahmeti.

Astrit Muhaxhiri, zyrtar i Projektit “Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë” tregoi se në të janë përfshirë pesë komuna, ndërsa sipas tij projekti ka buxhet 1 milion e 560 mijë euro.

“Projekti jonë ka filluar në mars të vitit të kaluar, është një projekt 1 vjeçar i cili financohet nga bashkësia evropiane. Kemi qenë prezentë në 5 komuna: Gjilan, Ferizaj, Kamenicë, Lipjan  dhe Rahovec. Në këto komuna ka qenë komponenta e rindërtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore,” tha Muhaxhiri.

Ai deklaroi se me këtë projekt synohet përmirësimi i tolerancës ndëretnike dhe respektimi i identitetit kulturor.

Sipas Muhaxhirit, partnerë të projektit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore janë edhe EULEX-i, Policia e Kosovës, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Rinisë Kulturës dhe Sportit, ndërsa bashkëpunim i posaçëm bëhet me Departamentin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në gusht të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi se ndërtimet e larta po rrezikojnë objektet e trashëgimisë kulturore në Gjakovë.

http://kallxo.com/shumekateshet-dridhin-trashegimine-ne-gjakove/

Në tetor të vitit 2015, Gazeta “Jeta në Kosovë” shkroi për ndërtimet pa leje dhe tejkalimet e lejeve të ndërtimit të disa hoteleve në atë që njihet si Zona e Parë Historike e Prizrenit

Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë

Në mars të vitit 2015 në qendër të Mitrovicës u dogj shtëpia e Xhafer Devës, politikanit kosovar që mbajti pozita të larta politike gjatë okupimit fashist të Kosovës në Luftën e Dytë Botërore.

Kjo shtëpi ishte e mbrojtur me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.

http://kallxo.com/arrestohet-nje-i-dyshuar-per-djegien-e-shtepise-se-xhafer-deves/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri