Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico Foto: Robert Fico/ Facebook

Kryeministri sllovak në “gjendje të rëndë” pas atentatit

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është “në gjendje të rëndë”, pasi u qëllua me armë zjarri derisa po ecte në mesin e një turme të vogël, pas një takimi qeveritar pranë Bratisllavës të mërkurën, njoftoi Qeveria sllovake.

Ministria e Brendshme e Sllovakisë e ka cilësuar si “atentat” sulmin me armë zjarri ndaj kryeministrit.

Ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj Estok, tha për gazetarë se një hetim fillestar ka gjetur se pas sulmit ndaj Ficos “qëndron një motiv i qartë politik”.

“Nuk ka dyshim për këtë”, tha ministri i Mbrojtjes Robert Kalinak.

Kalinak, aleat i ngushtë i Ficos, tha se mjekët po luftojnë për jetën e kryeministrit. Duke folur në një konferencë për media të mërkurën mbrëma, ai tha se Fico është duke u operuar dhe e përshkroi gjendjen e tij si “jashtëzakonisht të rëndë”.

Policia nuk e ka komentuar rastin ende.

Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.

Dëshmitarët thanë se u dëgjuan katër të shtëna me armë zjarri.

“Sot, pas takimit qeveritar në Handlova, pati atentat ndaj kryeministrit të Republikës së Sllovakisë, Robert Fico”, tha Qeveria në një komunikatë, duke shtuar se ai ishte transportuar me helikopter në qytetin afër, Banska Bistrica “në gjendje të rëndë, sepse do të merrte shumë kohë për ta dërguar në Bratislavë, për shkak të një intervenimi të nevojshëm akut”.

Nuk është bërë e ditur se çfarë plagësh ka pësuar ai, por disa media lokale raportuan se ai u qëllua në stomak dhe në dorë.

Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin fillimisht gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.

Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.

Një video shfaq Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Policia shihet gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari./REL.