Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

BE pas takimit Kosovë-Serbi për dinarin: Nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje në të ardhmen

Bashkimi Europian ka njoftuar se Kosova dhe Serbia më 15.05.2024 nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutë të vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke filluar nga 01.02.2024.

“BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen”- thuhet në një komunikatë për media pas një takimi trepalësh në Bruksel.

Ndërsa thuhet se Bashkimi Europian shpreh keqardhje që sot nuk u arrit marrëveshje.

“Mungesa e një rruge të dakorduar përpara ka pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën dhe një burim i vazhdueshëm shqetësimesh”- thuhet në komunikatë.

Po ashtu theksohet se BE-ja mbetet e gatshme të thërrasë një takim tjetër për këtë temë “sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht”.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

Bislimi e cilëson të dështuar takimin për dinarin në Bruksel

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Sipas tij, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime edhe në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.